Foshnja tetëmuajshe vdiq nga i ftohti në Gaza, mijëra familje në rrezik si pasojë e motit të keq

Foshnja tetëmuajshe vdiq nga i ftohti në Gaza, mijëra familje në rrezik si pasojë e motit të keq

Një foshnjë palestineze tetëmuajshe ndërroi jetë sot nga i ftohti i ashpër në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, mes kushteve të përkeqësuara të dimrit me të cilat po përballen familjet e zhvendosura pas dy vitesh gjenocidi izraelit, raporton Anadolu.

Foshnja, e identifikuar si Rahaf Abu Jazar, vdiq pasi temperaturat ranë ndjeshëm në zonë ndërsa fëmijët dhe familjet po strehohen në tenda të brishta e të improvizuara. Duke konfirmuar vdekjen, kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bursh paralajmëroi se më shumë fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë mund të humbin jetën nga i ftohti brenda tendave të përfshira nga shiu.

“Temperaturat e ulëta po i shkatërrojnë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët”, tha ai për Anadolu duke përshkruar raste me dridhje të forta, humbje të temperaturës trupore, përkeqësim të frymëmarrjes dhe rrezik vdekjeje. Ai tha se lagështia dhe uji i ndenjur brenda tendave krijojnë “një mjedis perfekt” për pneumoni dhe infeksione respiratore ndërsa të sëmurët nuk po arrijnë të gjejnë ilaçe apo kujdes mjekësor.

Mbrojtja Civile e Gazës tha se tërë kampet janë përmbytur nga uji i shiut, përfshirë zonat në Al-Mawasi në Khan Younis, Al-Bassa dhe Al-Baraka në Deir al-Balah, zonën e Tregut Qendror në Nuseirat si dhe lagjet Yarmouk dhe Al-Mina.

“Qytetarët e zhvendosur, së bashku me fëmijët dhe gratë e tyre, po mbyten tani”, tha Mbrojtja Civile për skenat tragjike që po ndodhin në kampet e prekura, duke shtuar se reshjet e dendura kanë shkatërruar tenda pavarësisht thirrjeve të përsëritura humanitare për ndërhyrje urgjente.

Zëdhënësi Mahmoud Basal tha për Anadolu se agjencia ka marrë mbi 2.500 thirrje ndihme në 24 orët e fundit nga familjet e zhvendosura, tendat e të cilave u përmbytën nga stuhia. Qindra tenda që strehojnë palestinezë të zhvendosur u përmbytën për të dytën ditë radhazi pas reshjeve të dendura natën gjatë një stuhie të re dimërore.

Mbrojtja Civile tha se ka evakuuar dhjetëra tenda në Rafah, në jug, pasi ato u përmbytën plotësisht. Basal paralajmëroi se mbi 250 mijë familje në kampet e zhvendosjes në gjithë enklavën janë të pambrojtura ndaj të ftohtit dhe ujërave të shiut në tendat e tyre të dëmtuara.

Më herët këtë javë, Zyra mediatike e Gazës kishte paralajmëruar se një sistem presioni të ulët polar do të godiste enklavën nga e mërkura deri të premten në mbrëmje, duke rrezikuar qindra mijëra familje të zhvendosura. Që nga e mërkura, mijëra tenda të banorëve të mbijetuar nga lufta e Izraelit janë kthyer në pellgje uji, duke njomur shtretërit, rrobat dhe ushqimet, dhe duke lënë qindra familje palestineze të ekspozuara ndaj të ftohtit pa ngrohje apo strehë.

Sipas të dhënave të mëparshme, Gazës i nevojiten 300 mijë tenda dhe njësi banimi të parafabrikuara për të përmbushur nevojat më bazike të strehimit, pasi Izraeli shkatërroi infrastrukturën gjatë dy viteve të luftës. OKB-ja vlerëson se kostoja e rindërtimit të Gazës arrin në rreth 70 miliardë dollarë.

Izraeli ka vrarë mbi 70 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 171 mijë në Gaza që nga tetori 2023. Sulmet u ndalën pas një marrëveshjeje armëpushimi që hyri në fuqi dy muaj më parë.

MARKETING