Fortune: Mira Murati ndër 50 gratë më të fuqishme në botë

Mira Murati, shqiptarja që po revolucionarizon fushën e Inteligjencës Artificiale, nuk është më një rastësi në botën e teknologjisë, por një forcë e qëndrueshme me pozita gjithnjë e më të forta.
Kjo u reflektua edhe në publikimin e fundit të revistës prestigjioze “Fortune”, e cila për herë të parë e renditi Mirën ndër 50 gratë më të pushtetshme në botë.
“Mira Murati, ish-drejtoreshë teknologjike e OpenAI, befasoi Silicon Valley-n kur dha dorëheqjen në shtator 2024. Ajo ishte truri pas revolucionit të ChatGPT, modelit që ndryshoi tërësisht peizazhin e Inteligjencës Artificiale. Gjashtë muaj më pas, Murati prezantoi Thinking Machines Lab, një startup inovative në fushën e IA-së që ka krijuar shumë zhurmë, megjithëse ende operon në fshehtësi”.
“Ndërsa detajet mbi projektin mbeten të pakta, ndikimi i 36-vjeçares është i qartë: në mesin e majit ajo ishte pranë sigurimit të një investimi prej 2 miliardë dollarësh – raundi më i madh në historinë e teknologjisë – që vlerëson Thinking Machines në 10 miliardë dollarë”, shkruan revista.
Pas largimit nga pozita e CTO-së në OpenAI në shtator 2024, Murati themeloi startup-in e saj të inteligjencës artificiale, Thinking Machines Lab, ku aktualisht shërben si CEO.
Ky startup është vlerësuar me një vlerë të mundshme prej 10 miliardë dollarësh, duke e bërë atë një nga startup-et më të vlefshme në fushën e AI-së