Forcat izraelite përparojnë drejt qytetit libanez pavarësisht armëpushimit
Forcat izraelite ndërmorën një inkursion sot në qytetin Beit Lif në jug të Libanit, që paraqet shkeljen e fundit të marrëveshjes së armëpushimit, tha media libaneze, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore e lajmeve NNA tha se një patrullë izraelite e mbështetur nga tanke, automjete ushtarake dhe një buldozer u zhvendos në periferi të qytetit në rrethin Bint Jbeil.
Kjo është hera e parë që forcat izraelite përparojnë drejt qytetit që kur marrëveshja e armëpushimit me Libanin hyri në fuqi më 27 nëntor 2024.
Shkelja e fundit e çoi numrin e shkeljeve izraelite të marrëveshjes së armëpushimit në 336, sipas një raporti të Anadolu-s bazuar në shifrat e publikuara nga autoritetet libaneze.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraelit i kërkohet të tërheqë në faza forcat e tij në jug të “Vijës së Kaltër”, kufirit “de fakto” ndërsa ushtria libaneze do të vendosej në jug të Libanit brenda 60 ditëve.
Të dhënat nga Ministria libaneze e Shëndetësisë tregojnë se që kur sulmet e Izraelit kundër Libanit filluan më 8 tetor 2023, janë vrarë të paktën 4.063 persona, përfshirë gra, fëmijë dhe punonjës shëndetësorë, ndërsa 16.664 të tjerë janë plagosur.