Forcat izraelite nisin një ndërhyrje të re dhe bastisin shtëpitë në rajonin Quneitra të Sirisë
Forcat izraelite hynë të mërkurën në fshatin Ain Zivan në jug të rajonit Quneitra në Siri dhe bastisën disa shtëpi, transmeton Anadolu.
Sipas raportimit nga Agjencia Arabe e Lajmeve Siriane (SANA), “Një forcë pushtuese sulmoi fshatin, kontrolloi disa shtëpi dhe ngriti një pikë kontrolli në periferi të tij, ku trupat kontrolluan kalimtarët dhe ndërprenë lëvizjen”.
Agjencia raportoi gjithashtu se forcat izraelite hynë në fshatin Sayda al-Golan në jug të rajonit Quneitra dhe arrestuan një të ri, pa specifikuar detaje.
Damasku ka pohuar vazhdimisht angazhimin e tij ndaj marrëveshjes së shkëputjes së vitit 1974 midis dy palëve. Tel Avivi njoftoi në mënyrë të njëanshme se po anulonte marrëveshjen pas rënies së regjimit të Bashar Assadit më 8 dhjetor 2024.
Veprimet e fundit izraelite kanë përfshirë ndërhyrje tokësore, granatime artilerie – veçanërisht në fshatrat e Quneitrës dhe Daraas në Sirinë jugore – arrestime të civilëve, vendosjen e pikave të kontrollit për të kërkuar dhe për të marrë në pyetje banorët si dhe shkatërrimin e të korrave.
Inkursionet e raportuara vijnë pavarësisht njoftimit më 6 janar për formimin e një mekanizmi kontakti midis Sirisë dhe Izraelit, nën mbikëqyrjen e SHBA-së, për të koordinuar shkëmbimin e informacionit, për të zvogëluar përshkallëzimin ushtarak, për të nxitur angazhimin diplomatik dhe për të eksploruar mundësitë tregtare.
Sirianët thonë se veprimet e vazhdueshme izraelite kufizojnë aftësinë e tyre për të rivendosur stabilitetin dhe pengojnë përpjekjet e qeverisë për të tërhequr investime për të përmirësuar kushtet ekonomike.

