Forcat e sigurisë përleshen me protestuesit, tubime të dhunshme në Francë
Forcat e sigurisë së Francës sërish janë përleshur me protestuesit të shtunën, pasi ata tentuan të ndalnin ndërtimin e një rezervuari për industrinë e agrikulturës në jugperëndim të shtetit.
Mbi 3.000 pjesëtarë të forcave të sigurisë u dislokuan dhe autoritetet thanë se “të paktën 1.000” protestues të dhunshëm, përfshirë edhe disa nga Italia, ishin pjesëmarrës në protestë.
Vendi ku po ndërtohet rezervuari i ujit u rrethua nga policia, por përleshjet nisën shumë shpejt midis policisë dhe protestuesve.
Protestuesit hodhën gjësende të forta dhe eksplozivë të improvizuar drejt policisë, ndërkaq forcat e rendit u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe topa uji.
“Përderisa shteti po ngrihet në këmbë për të mbrojtur pensionistët, ne po ashtu do të ngrihemi për të mbrojtur ujin”, tha një prej organizatorëve. Motoja e protestës ishte “S’duam rezervuar, faleminderit”.
Policia tha se ka arrestuar 11 persona, të cilëve iu gjetën armë të ftohta, por edhe mjete shpërthyese.
Në Francë, lëvizja protestuese kundër reformës në pension është shndërruar në krizën më të madhe të brendshme të mandatit të dytë në Macronit, teksa për çdo ditë ka përleshje në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera franceze mes policisë dhe protestuesve.