Flotilja e ndihmës me destinacion Gazën kërkon mbrojtje evropiane mes kërcënimeve izraelite

Flotilja e ndihmës me destinacion Gazën kërkon mbrojtje evropiane mes kërcënimeve izraelite

Flotilja Globale “Sumud” me destinacion Gazën kërkoi mbrojtje nga qeveria spanjolle dhe Evropa mes kërcënimeve izraelite, transmeton Anadolu.

“Izraeli po kërcënon Flotiljen Globale ‘Sumud’, anije që transporton ilaçe dhe ushqime në Gaza në një mision humanitar. Ne kërkojmë që qeveria dhe Evropa të veprojnë për të siguruar mbrojtjen e tyre në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, shkroi Flotilja në kompaninë amerikane të mediave sociale X.

Ajo njoftoi se delegacioni pakistanez iu bashkua flotiljes malajziane “Sumud Nusantara”, e cila gjithashtu po i bashkohet Flotiljes Globale “Sumud” për të thyer bllokadën e Izraelit.

Organizata humanitare me seli në Itali “Emergency” njoftoi të martën se po i bashkohet flotiljes në rrugën për në Gaza me anijen e saj të kërkim-shpëtimit “Life Support” për të vepruar si vëzhgues dhe për të ofruar mbështetje mjekësore dhe logjistike për anijet pjesëmarrëse.

Duke e përshkruar atë që po ndodh në Rripin e Gazës si “të papranueshme”, organizata vuri në dukje se do të niset nga Katania, së bashku me anijet që janë pjesë e delegacionit italian.

Ndërkohë, një e përditshme spanjolle raportoi sot në orët e para të mëngjesit se nga 30 anijet që u nisën nga Barcelona të hënën pasdite, pesë u detyruan të ktheheshin dhe dy nuk mundën të largoheshin nga porti për shkak të problemeve mekanike.

Rreth 20 anije thuhet se po shkojnë drejt Tunizisë për t’u bashkuar me 20 anije të tjera në dërgimin e ndihmës në Rripin e Gazës, me një ndalesë të shkurtër dhe të pazbuluar në Ishujt Baleare të Spanjës.

Të dielën, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir i paraqiti Kabinetit izraelit një plan për flotiljen që përfshin mbajtjen e aktivistëve në paraburgim të zgjatur.

Një flotilje tjetër që mbante aktivistë si aktivistja klimatike Greta Thunberg, e cila po bën përsëri udhëtimin, mbërriti pranë Gazës në qershor. Forcat izraelite sekuestruan anijen dhe deportuan aktivistët.

Flotilja Globale “Sumud”, me aktivistë dhe ndihmë humanitare për Gazën, u nis nga porti i Barcelonës të hënën vonë pasi moti i keq e detyroi të kthehej një ditë më parë.

Rreth 200 aktivistë, politikanë dhe artistë nga 44 vende u nisën fillimisht të dielën nga Barcelona pas një tubimi të madh në mbështetje të misionit të tyre.

Aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg, aktori irlandez Liam Cunningham, aktori spanjoll Eduardo Fernandez dhe ish-kryetarja e bashkisë së Barcelonës, Ada Colau janë ndër ata që marrin pjesë në udhëtim.

Organizatorët thonë se flotiljes do t’i bashkohen më shumë anije që nisen nga Italia dhe Tunizia, duke e çuar totalin në më shumë se 500 persona dhe rreth 60 anije.

Flotilja pritet të arrijë në Gaza deri në mesin e shtatorit.

MARKETING