Finlanda në rrezik veprimi fiskal të BE-së për shkak të problemeve strukturore
Finlanda ka mundësi të vendoset nën Procedurën e Borxhit të Tepërt, paralajmëroi ministrja e Financave e vendit, Riika Purra duke përmendur problemet strukturore, zhvillimin e të ardhurave dhe problemet më të thella strukturore në ekonominë e vendit, transmeton Anadolu.
Duke folur para ligjvënësve në parlament, Purra përmendi parashikimin ekonomik të Komisionit Evropian, duke sugjeruar se borxhi shtetëror i Finlandës do të tejkalonte një kufi prej 90 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) që në vitin 2026, raportoi transmetuesi finlandez “Yle”.
“Finlanda do t’i nënshtrohet Procedurës së Borxhit të Tepërt që nga fillimi i vitit”, tha Purra të martën duke shtuar se kjo duket shumë e qartë, bazuar në shifra. Sipas parashikimit të komisionit, borxhi publik i Finlandës parashikohet të rritet në 92.3 për qind të PBB-së deri në vitin 2027.
Të hënën, Komisioni tha se ekonomia e Finlandës është në stagnim dhe se vendi mund të renditet si vendi i gjashtë më borxhli në BE deri në vitin 2027. Ministrja finlandeze e Financave tha se kur borxhi publik tejkalon pragun prej 90 për qind, BE-ja do t’i kërkojë qeverisë së ardhshme ta adresojë çështjen dhe ta ulë raportin e borxhit të saj me të paktën 1 për qind në vit.
Mekanizmi kërkon që Finlanda të publikojë raporte rreth financave të saj publike dhe progresit të saj në këtë çështje më shpesh sesa bën aktualisht. Purra tha se zhvillimi i dobët i të ardhurave është fajtor ndërsa përmendi se problemet ekonomike të vendit nordik janë “strukturore”.
“Shpenzimet e mbrojtjes nuk shpjegojnë deficitin tonë aktual, por më tepër zhvillimin e dobët të të ardhurave në lidhje me shpenzimet e tjera në rritje si shpenzimet e mirëqenies sociale në rritje të shpejtë dhe pagesat e transferimit (të përfitimeve)”, shtoi ajo.
Nëse i nënshtrohet procedurës, Finlanda do të duhet të publikojë raporte lidhur me financat e saj publike dhe progresin e saj në këtë çështje më shpesh sesa bën aktualisht. Nëse një shtet anëtar nuk i përmbush detyrimet, ai mund t’i nënshtrohet sanksioneve.

