Filloi debati për propozim-buxhetin e vitit 2026, u parashtruan 203 amendamente

Filloi debati për propozim-buxhetin e vitit 2026, u parashtruan 203 amendamente

Komisioni për Financim dhe Buxhet sot pasdite e filloi debatin për amendamentet për Propozim-Buxhetin për vitin 2026. Siç informoi zëvendëskryetarja e Komisionit Jovanka Trençevska për Propozim-buxhetin për vitin 2026 janë parashtruar 203 amendamente nga propozues të autorizuar.

Në fillim të seancës, u refuzuan tre amendamente të propozuara nga deputetët e grupit parlamentar të BDI-së për rritjen e mjeteve për një numër më të madh të të punësuarve nga bashkësitë jo-shumicë në Kabinetin e kryetarit të Kuvendit dhe në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe për punën operative të Komisionit. Amendamentet nuk u pranuan nga përfaqësuesi i Qeverisë, zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski dhe nuk u votuan nga anëtarët e Komisionit për Financim.

Deputetët e LSDM-së me amendament kërkuan rritje prej 14 milionë denarë të Buxhetit për Agjencinë Teknike Operative për kuadër shtesë. Oliver Spasovski nga LSDM tha se nëse nuk shtohet kuadri në ATO do të kufizohen aktivitetet e saj, ndërsa gjatë kësaj theksoi se arsye shtesë për amendamentin është edhe Raporti i Komisionit Evropian.

Zëvendësministri i Financave, Jankullovski tha se pas konsultimeve të bëra amendamenti ka mundësi që pjesërisht të pranohet dhe buxheti për punësim në ATO të rritet për pesë milionë denarë, që ishte e pranueshme nga propozuesit, deputetët e LSDM-së.

Ata gjithashtu me amendament kërkuan rritje të mjeteve edhe për infrastrukturë të ATO, por ai nuk ishte pranuar nga përfaqësuesi i Qeverisë.

Deputetët e LSDM-së kërkuan ripërdorimin e mjeteve për subvencione sportive prej 300 milionë denarësh për të rritur buxhetin për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe për zonat industriale. Amendamenti nuk u pranua, ndërsa zëvendësministri i Financave theksoi se paratë për investime të huaja krahasuar me vitin 2025 janë rritur për një miliard denarë.

Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE tha se deputetët e LSDM-së kishin kërkuar që paratë për subvencionet sportive të shkurtoheshin, duke deklaruar në amendament se ato ishin “transferta të shpërndara dhe me vlerë të ulët.

Shqyrtimi i amendamenteve të mbetura vazhdon nesër në orën 12:00 në mbledhjen e Komisionit për Financim dhe Buxhet./MIA

MARKETING