Filipinet përgatiten për super tajfunin “Fung-wong”, evakuohen 1 milion banorë

Filipinet përgatiten për super tajfunin “Fung-wong”, evakuohen 1 milion banorë

Filipinet kanë evakuuar mbi 900 mijë banorë, teksa vendi po përgatitet për goditjen e super tajfunit Fung-wong, i cili pritet mbrëmjen e së dielës, transmeton Top Channel.

Stuhia, e njohur si Uwan, tashmë është kategorizuar si super tajfun, me erëra që arrijnë 185 km/h dhe shpërthime deri në 230 km/h.

Shërbimi meteorologjik paralajmëroi për një rrezik të lartë të stuhive shkatërruese dhe dallgëve mbi tre metra. Fung-wong mbërrin vetëm disa ditë pasi tajfuni Kalmaegi shkaktoi shkatërrim masiv dhe la gati 200 të vdekur. Rajoni lindor i Bicol-it ishte i pari që u godit drejtpërdrejt nga stuhia në orët e mëngjesit të së dielës, përpara se të përparonte drejt Ishujve Polillo.

Disa shkolla kanë anuluar mësimin ose e kanë zhvendosur online, ndërsa rreth 300 fluturime janë pezulluar. Parashikimet tregojnë se pas prekjes së tokës, stuhia do të dobësohet, por do të mbetet tajfun teksa kalon mbi Luzon. Priten mbi 200 mm shi, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Shumë zona në lindje raportuan mot të rënduar me reshje të dendura dhe erëra të forta, ndërsa autoritetet urdhëruan banorët e zonave të ulëta dhe bregdetare të zhvendosen në terrene më të larta.

Fung-wong ka detyruar pezullimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit pas tajfunit Kalmaegi, i cili përmbyti zona të tëra duke sjellë rrëshqitje të fuqishme balte. Të paktën 204 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 100 të tjerë janë ende të zhdukur.

Stuhia goditi edhe Vietnamin, ku pesë persona humbën jetën dhe dëmet materiale ishin të mëdha.

Filipinet, të vendosura në një nga zonat më aktive të Paqësorit për formimin e cikloneve tropikale, përballen mesatarisht me 20 tajfune në vit, gjysma e të cilëve godasin drejtpërdrejt territorin.

MARKETING