Fidan: Turqia do të bëjë pjesën e saj për të “lehtësuar rrugën e vështirë” përpara popullit sirian
Türkiye do të bëjë pjesën e saj për të “ndihmuar në lehtësimin e rrugës së vështirë” përpara popullit sirian, tha sot ministri i Jashtëm i vendit, Hakan Fidan, transmeton Anadolu.
Hakan Fidan mori pjesë në një takim për të ardhmen e Sirisë në kryeqytetin saudit Riad, së bashku me ministrat e jashtëm nga Arabia Saudite, Siria, Bahreini, Egjipti, Iraku, Jordania, Kuvajti, Libani, Omani, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Ministria e Jashtme turke në X.
Një administratë e re e udhëhequr nga Ahmed al-Sharaa ka marrë drejtimin në Siri pas përmbysjes së Bashar Asadit muajin e kaluar. Ajo ka kërkuar heqjen e sanksioneve për t’u rikuperuar pas gati 14 viteve të luftës civile.
Fidan tha se nëse Forcat Demokratike Siriane (SDF) janë të sinqerta në përpjekjet e saj për t’u integruar me qeverinë qendrore të Sirisë, ajo duhet të shpallë shpërbërjen e saj.
Ai theksoi se ruajtja e integritetit territorial dhe unitetit të Sirisë duhet të mbetet “fokusi kryesor”.
SDF-ja udhëhiqet nga YPG-ja, dega siriane e grupit terrorist PKK.
Fidan përsëriti se grupi terrorist vazhdon të përbëjë një kërcënim serioz për shumicën arabe në rajonin e Eufratit lindor të Siri dhe shfrytëzon burimet natyrore më të nevojshme për popullin sirian.
“Ne mund të punojmë së bashku për të forcuar aftësinë e qeverisë së re për të luftuar efektivisht DEASH-in. Si Türkiye, ne jemi gati të bëjmë pjesën tonë për të ndihmuar në lehtësimin e rrugës së vështirë përpara popullit sirian”, shtoi ai.
– “Vendet e rajonit mbajnë ‘përgjegjësinë më të madhe’ në të ardhmen e Sirisë”
Ministri i Jashtëm turk theksoi se vendet e rajonit kanë “përgjegjësinë më të madhe” në drejtimin e zhvillimeve në Siri dhe ripohoi se integriteti territorial, uniteti dhe sovraniteti i vendit mbeten parimet thelbësore që drejtojnë përpjekjet e tyre.
Ai tha se shenjat e normalizimit në Siri po forcohen çdo ditë e më shumë, duke shtuar: “Në këtë periudhë kritike, ne duhet të veprojmë si një forcë balancuese, duke përafruar me kujdes pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar me realitetet me të cilat përballet qeveria e re e Sirisë”.
Fidan tha se përpjekjet për të mbështetur Sirinë mund të bëhen më efektive duke krijuar një mekanizëm ose komitete koordinimi dhe theksoi nevojën për të identifikuar sektorët prioritarë për të siguruar më shumë përjashtime nga sanksionet në të ardhmen.
Takimi ministror arab do të pasohet nga një takim ndërkombëtar ku do të marrin pjesë edhe kryediplmatët nga Türkiye, Britania dhe Gjermania. SHBA-ja dhe Italia pritet të marrin pjesë në nivelin e zëvendësministrave të jashtëm.