Fidan: Qëllimi përfundimtar është armëpushimi Rusi-Ukrainë që do t’i hapë rrugën paqes

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se qëllimi përfundimtar i bisedimeve Rusi-Ukrainë është një armëpushim që do të hapë rrugën për paqe, raporton Anadolu.
Duke folur në takimin trepalësh Turqi-Rusi-Ukrainë në Stamboll, ku organizohet raundi i tretë i bisedimeve të paqes midis Moskës dhe Kievit, Fidan tha se Turqia si ndërmjetësuese e bisedimeve do të vazhdojë të përmbushë rolin e saj.
“Shkëmbimin e memorandumeve, që pasqyrojnë perspektivat e palëve mbi një armëpushim dhe paqe në raundin e dytë të bisedimeve, ne e konsiderojmë një zhvillim të rëndësishëm”, tha Fidan.
Shefi i diplomacisë turke shprehu shpresën se në këtë raund bisedimesh palët do të angazhohen në konsultime thelbësore dhe të orientuara drejt rezultateve mbi memorandumet që shkëmbyen më parë.
Dy raundet e para u mbajtën më 16 maj dhe 2 qershor, po ashtu në Stamboll. Të dyja palët ranë dakord të shkëmbejnë të burgosur shtesë lufte, duke i dhënë përparësi më të rinjve dhe më të plagosurve rëndë, si dhe të kthejnë nga secila palë trupat e 6 mijë ushtarëve.
Moska dhe Kievi po ashtu shkëmbyen memorandume që përshkruanin vizionet e tyre për t’i dhënë fund konfliktit që ka vazhduar që nga shkurti i vitit 2022.
Në raundin e tretë, delegacioni i Rusisë kryesohet nga ndihmësi presidencial, Vladimir Medinsky, ndërsa delegacioni i Ukrainës kryesohet nga kreu i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov.