Fidan në Podgoricë: Mbështesim të gjitha nismat që sjellin paqe dhe stabilitet në Ballkan
Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiye-s, Hakan Fidan tha sot në Podgoricë se vendi i tij mbështet të gjitha iniciativat që do të sjellin paqe, prosperitet dhe stabilitet në Ballkan, raporton Anadolu.
“Me rolin e pandashëm të SEECP në gjetjen e zgjidhjeve për problemet në rajon, Türkiye mbështet të gjitha iniciativat që do të sjellin paqe, prosperitet dhe stabilitet në Ballkan”, tha Fidan në fjalimin e tij para pjesëmarrësve të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Podgoricë.
Në margjinat e Samitit në Podgoricë, Fidan u takua me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Shefi i diplomacisë turke gjatë ditës së sotme ka biseduar edhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Në samit marrin pjesë zyrtarë të lartë të pjesëmarrësve të SEECP: Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq, zëvendëskryeministri i Moldavisë Oleg Serebrian, ministri i Jashtëm i Türkiye-s Hakan Fidan, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Shërbimit Evropian për Punët e Jashtme, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovenisë.
Më 1 korrik, Maqedonia e Veriut do të marrë kryesimin e SEECP nga Mali i Zi.