Fidan do të marrë pjesë në takimin joformal të ministrave të jashtëm të BE-së

Fidan do të marrë pjesë në takimin joformal të ministrave të jashtëm të BE-së

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, do ta vizitojë të enjten kryeqytetin e Polonisë, Varshavën, për të marrë pjesë në një takim joformal të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, me ftesë të bllokut.

Sipas burimeve nga Ministria e Punëve të Jashtme, gjatë këtij eventi, Fidan do të zhvillojë një takim me shefen për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, së bashku me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, vendeve kandidate dhe kandidateve potenciale.

Në gushtin e kaluar, Fidan mori pjesë edhe në takimin e njohur si “Gymnich”, takimi i parë i këtij lloji në të cilin BE-ja kishte ftuar Türkiyen pas pesë vitesh, çka u konsiderua si pjesë e përpjekjeve të bllokut për t’i rinovuar marrëdhëniet me Türkiyen.

Ky takim konsiderohet si një hap i rëndësishëm për forcimin e kanaleve të dialogut ndërmjet Türkiyes dhe BE-së dhe për ndërmarrjen e hapave konkretë në marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë edhe procesin e anëtarësimit të Türkiyes në BE.

Në takim pritet të shkëmbehen mendime mbi sfidat aktuale të politikës së jashtme dhe të sigurisë evropiane, veçanërisht për forcimin e rezistencës përballë kërcënimeve hibride.

Fidan pritet të theksojë në takim se bashkëpunimi strategjik ndërmjet NATO-s dhe BE-së është kyç për sigurinë e Evropës dhe se Türkiye dhe BE-ja duhet ta përmirësojnë shkëmbimin e informacionit përmes rritjes së koordinimit dhe bashkëpunimit kundër kërcënimeve hibride.

Po ashtu, pritet që ai të theksojë se terrorizmi përbën kërcënim për sigurinë ndërkombëtare duke gjeneruar kërcënime hibride, se përpjekjet e Türkiyes në luftën kundër terrorizmit kontribuojnë në stabilitetin e rajonit të përbashkët, dhe se Türkiye pret mbështetje konkrete dhe të prekshme nga aleatët dhe partnerët e saj në këtë drejtim. Ai gjithashtu do të nënvizojë se nismat e BE-së për rritjen e kapaciteteve të industrisë evropiane të mbrojtjes duhet të përfshijnë edhe partnerë jashtë BE-së, si Türkiye, e cila ka përvojë të fortë në industrinë e mbrojtjes dhe në fushën ushtarake.

Në takim do të theksohet gjithashtu pritshmëria e Türkiyes që BE-ja të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të lidhjeve BE–Türkiye. Ndër prioritetet që do të theksohen do të jenë vazhdimi i mekanizmave të dialogut strukturor, modernizimi i Unionit Doganor dhe marrëdhënieve tregtare për t’iu përgjigjur nevojave aktuale, si dhe zgjidhja e çështjeve të vizave.

Fidan do të zhvillojë edhe bisedime bilaterale në margjinat e takimit.

Türkiye aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987 dhe mori statusin e vendit kandidat në vitin 1999. Bisedimet për anëtarësim filluan në vitin 2005, por pas vitit 2007 ato ngecën për shkak të problemit me Qipron dhe kundërshtimeve nga disa vende anëtare.

MARKETING