Fidan: Avancimi i bisedimeve bërthamore me Iranin është e vetmja mënyrë për të zgjidhur konfliktin

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan Hakan, ka deklaruar se avancimi i procesit të negociatave të nisura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbi programin bërthamor të Iranit është “e vetmja mënyrë” për të zgjidhur konfliktin, raporton Anadolu.
MARKETING
Ministri Fidan kryesoi një takim të nivelit të lartë pas sulmeve të Izraelit ndaj vendeve bërthamore dhe ushtarake iraniane, të cilat thuhet se kanë vazhduar gjatë gjithë ditës.
“Diplomacia është e vetmja alternativë ndaj luftës”, tha Fidan në platformën sociale X, pas takimit të tij me zyrtarët turq, përfshirë ministrin e mbrojtjes, kreun e inteligjencës dhe shefin e shtabit të përgjithshëm.
“Nuk duhet të lejojmë që tensioni në rritje në rajonin tonë të largojë vëmendjen nga gjenocidi që po ndodh në Gaza”, theksoi ministri turk.
Një raund i gjashtë bisedimesh indirekte midis SHBA-së dhe Iranit, i ndërmjetësuar nga Omani, ishte planifikuar për të dielën. Mbetet e paqartë nëse bisedimet e synuara për një marrëveshje të re do të vazhdojnë pas sulmeve izraelite.
Trump thotë se Irani nuk duhet të jetë në gjendje të ndërtojë një bombë bërthamore dhe ka lënë të kuptohet se “mund të ketë një mundësi tjetër” për të arritur një marrëveshje bërthamore me SHBA-në.
Fidan tha se presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, i ka monitoruar “nga afër” zhvillimet që nga fillimi dhe po mbahet i informuar.
Ai tha se institucionet përkatëse po marrin të gjitha masat e nevojshme në përputhje me direktivat e presidentit, “bazuar në skenarë të mundshëm që shqetësojnë vendin tonë”.
“Që nga fillimi i këtyre zhvillimeve, ne kemi qenë në kontakt të ngushtë me shumë vende, përfshirë Iranin, Irakun, Jordaninë dhe SHBA-në”, shtoi ai.
Kryediplomati turk tha se Izraeli, i cili ka shkaktuar tragjedi njerëzore në Gaza, ka destabilizuar Libanin, ka pushtuar Sirinë dhe tani po shënjestron Iranin, duhet të braktisë menjëherë strategjinë e tij të destabilizimit të rajonit.