Festivali i Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans synon të rrisë ndjeshmërinë për çështjet humanitare

Festivali i Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans synon të rrisë ndjeshmërinë për çështjet humanitare

Festivali i 6-të Filmit Dokumentar Al Jazeera Balkans (AJB DOC), ku Anadolu është partner global i komunikimit dhe i cili synon të rrisë ndjeshmërinë për çështjet humanitare, fillon sot në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës dhe do të vazhdojë deri më 12 shtator.

Drejtori i festivalit AJB DOC, Edhem Foco, në deklaratën për Anadolu tregoi se në festival do të shfaqen 24 dokumentarë nga gjithsej rreth 300 që kanë aplikuar.

“Në përgjithësi, ne shikojmë çështjet që na interesojnë dhe nuk merremi për njerëzit dhe vendet e tjera. Në luftën në Bosnjë e Hercegovinë ka pasur raste kur një fshati nuk i interesonin vuajtjet e një fshati tjetër. Ne duam ta thyejmë këtë, të rrisim ndjeshmërinë për çështjet humanitare në mënyrë që të ketë simpati për të tjerët, të drejtat e të cilëve kërcënohen ose që nuk kanë të drejta. Kjo tregohet përmes filmave më të mirë”, tha Foco.

Foco tregoi se në filmat dokumentar trajtohen çështje të shumta si “jeta e emigrantëve të parregullt, padrejtësia që përjetojnë palestinezët nën pushtim, situata aktuale në Ukrainë”, duke njoftuar se në festival do të marrin pjesë filma nga vende si Türkiye, Iran, Siri e Palestinë.

Sipas tij, shikuesit më së shumti janë kureshtar për filmat e rajonit, ndërsa në këtë drejtim ai beson se filmat “Secili e ka Everestin e tij” (Svako ima svoj Everest), “Trashëgimia e Dejtonit: BeH – një paqe e brishtë” (Naslijeđe Daytona: BiH – krhki mir), “Vëllezërit Musemiq” (Braća Musemić) dhe “Hulumtuesi” (Istražitelj) do të tërheqin vëmendjen.

Platforma “Ditët e Industrisë” po mbahet edhe këtë vit

Duke theksuar se cilësia e filmave dokumentarë vendas në krahasim me ata ndërkombëtarë është e diskutueshme për shkak të burimeve të pamjaftueshme, Foco u shpreh se megjithatë filmat vendas janë “të jashtëzakonshëm” në kuptimin tematik.

Foco potencoi se në vitin 2023, ashtu si vitin e kaluar, do të organizohet edhe një platformë e quajtur “Ditët e Industrisë” (AJD Industry Days) në bashkëpunim me kanalin Al Jazeera Documentary, falë së cilës do t’u mundësohet autorëve të filmit dokumentar pjesëmarrës nga rajoni dhe bota të takohen me producentët.

“Kolegët e tij në Doha e kuptuan se duhet të krijohej një program serioz i industrisë në rajon”, tha Foco.

“Ne nuk do t’ia dilnim dot pa ata, sepse ata përballojnë pjesën më të madhe të kostove. Në fund të fundit, për shkak të ndikimit të tyre ne kemi të ftuarit që kemi këtu. Kemi drejtorë televiziv nga Japonia, Koreja e Jugut, Finlanda, Suedia, Austria, gjithashtu nga Deutsche Welle, nga TRT. Vijnë edhe drejtorë të shumë festivaleve si ajo e Cannes dhe Sundance”, shtoi ai.

AJB DOC do të shfaqen 24 dokumentarë

Në mesin e anëtarëve të jurisë së festivalit është edhe regjisori rus, Vitaly Mansky, regjisorja hungareze, Bernadett Tuza-Ritter, regjisori boshnjak, Nermin Hamzagic, producentja kroate, Vanja Jambrovic, si dhe producenti Mohamed Elmongy.

Në AJB DOC, e cila filloi sot në Bosnjë e Hercegovinë dhe do të vazhdojë deri më 12 shtator, për artdashësit do të prezantohen 24 filma dokumentarë nga vende të ndryshme të botës dhe vende të rajonit.

Tre çmime do të jepen në festival, edhe atë Çmimi Kryesor AJB DOC, Çmimi i Programit AJB dhe Çmimi i Publikut.

Festivali synon të inkurajojë shkrimtarët dhe dokumentarët që merren me fenomenet shoqërore duke u përqendruar në vlerat universale njerëzore, përfshirë filmat dokumentarë të përshtatur për transmetimet televizive.

MARKETING