Ferrari “josh” Hamilton, e fton të thyejë rekordin e Schumacher me “kokëkuqjen”

Ferrari “josh” Hamilton, e fton të thyejë rekordin e Schumacher me “kokëkuqjen”

Rinovimi i kontratës së Lewis Hamilton (i skadon në fundin e sezonit aktual) me Mercedes është shndërruar tashmë në një telenovelë. Nga njëra anë është drejtori i gjermanëve, Totto Wolf që herë pas here thekson se nuk ka asnjë problem dhe se do ta gjejnë shpejt gjuhën e përbashkët, ndërsa nga ana tjetër është britaniku që mbetet misterioz dhe nuk prononcohet hapur në lidhje me këtë çështje.

Në këtë pikë kërkon të përfitojë Ferrari. Sipas “Daily Mail”, italianët janë të gatshëm ta “rrëmbejnë” 38-vjeçarin me një pagë tunduese që shkon deri në 40 milionë euro në sezon. Sipas medias britanike, pronari i “kokëkuqjes”, John Elkann është duke u marrë personalisht me atë që mund të kosniderohet si një nga lëvizjet më të bujshme të Formula 1 dhe janë disa mesazhet e shkëmbyera me vetë Hamilton.

Ferrari po mundohet ta “josh” britanikun me faktin se në sezonin e ardhshëm, italianët do të kenë një nga makinat më konkurruese në botën e Formula 1 dhe në këtë formë 38-vjeçari do të kishte mundësinë e titullit numër tetë për të thyer rekordin e Michael Schumacher i vendosur nga gjermani pikërisht me skuderinë e kuqe. Te Ferrari janë të gatshëm të sakrifikojnë një mes Charles Leclerc apo Carlos Sainz për t’i liruar vendin Hamilton me njërin prej pilotëve aktualë të “kokëkuqjes” që do të kalonte më pas tek Mercedes për të zënë hapësirën e lënë prej britanikut.

Megjithatë, bisedat dhe tratativat janë ende në fazë fillestare dhe mbetet për t’u parë reagimi i Mercedes që në asnjë rast nuk mund të humbasë një pilot si Hamilton, madje gjermanët po bëjnë gjithë kolaudimet në njëvendëshen e tyre në bazë të kërkesave të shtatë herë Kampionit të Botës.

 

MARKETING