FBI-ja ofron shpërblim për informacione rreth atentatorit të Charlie Kirkut, publikon foto të autorit të dyshuar

FBI-ja ofron shpërblim për informacione rreth atentatorit të Charlie Kirkut, publikon foto të autorit të dyshuar

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) shpalli sot një shpërblim deri në 100 mijë dollarë për informacion që çon në identifikimin dhe arrestimin e autorit të vrasjes së komentatorit konservator amerikan Charlie Kirk, ndërsa po ashtu publikoi fotografi të të dyshuarit, transmeton Anadolu.

“FBI-ja po ofron një shpërblim deri në 100 mijë dollarë për informacion që çon në identifikimin dhe arrestimin e personit ose personave përgjegjës për vrasjen e Charlie Kirkut më 10 shtator 2025 në ‘Utah Valley University’ në Orem”, thuhet në njoftimin e FBI-së në platformën amerikane X.

Më herët të enjten, FBI-ja publikoi edhe dy fotografi të një “personi të interesit” për vrasjen, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në identifikimin e tij. Në fotografi shfaqet një mashkull i moshës studentore, i veshur me bluzë të zezë me mëngë të gjata, xhinse, kapele sportive dhe syze të zeza.

Charlie Kirk, 31 vjeç, u qëllua për vdekje të mërkurën teksa mbante një fjalim para studentëve në universitetin në Utah. Sulmi ndodhi pavarësisht pranisë së gjashtë policëve universitarë dhe ekipit privat të sigurisë së Kirkut.

Hetuesit thanë se kanë gjetur një “pushkë me precizitet me mbushje manuale” në një zonë pyjore që besohet të ketë qenë rruga e arratisjes së autorit. Media amerikane raportoi se në armë është gjetur municion i gdhendur me “ideologji transgjinore dhe antifashiste”, megjithëse autoritetet nuk e kanë konfirmuar.

Hetimi deri tani ka ndjekur lëvizjet e autorit rreth 30 minuta para sulmit, duke përfshirë momentin kur ai ka arritur afër kampusit dhe është ngjitur në çati për të qëlluar. Pas të shtënave, ai është hedhur në tokë dhe është zhdukur në një lagje në afërsi, ku policia po kontrollon kamerat e sigurisë.

Dy persona të interesit u arrestuan menjëherë pas ngjarjes, por më pas u liruan pasi u pastruan nga çdo dyshim. Autoritetet kërkuan publikisht që qytetarët të mos i ngacmojnë, duke theksuar se “nuk janë të dyshuar, por thjesht persona të interesit”.

MARKETING