Evropa me “mur dronësh”, përforcohet kufiri me Rusinë pas provokimeve të vazhdueshme nga Moska

Evropa me “mur dronësh”, përforcohet kufiri me Rusinë pas provokimeve të vazhdueshme nga Moska

Ministrat evropianë të Mbrojtjes ranë dakord të premten të zhvillojnë një “mur dronësh” përgjatë kufijve të tyre me Rusinë dhe Ukrainën për të zbuluar, ndjekur dhe kapur dronët që shkelin hapësirën ajrore të Evropës.

Vendimi vjen pas një sërë incidentesh në të cilat kufijtë e Evropës janë testuar nga dronë të paligjshëm. Rusia është fajësuar për disa prej tyre, por ka mohuar akuzat.

“Rusia po teston BE-në dhe NATO-n, ndaj edhe përgjigja jonë duhet të jetë e fortë, e bashkuar dhe e menjëhershme”, ka thënë komisioneri i Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius, pasi kryesoi takimin virtual të 10 vendeve në krahun lindor të Evropës.

“Muri i dronëve” pritet të diskutohet nga liderët e BE-së edhe në samitin e javës së ardhshme në Kopenhagen dhe më pas edhe në tetor kur të takohen në Bruksel.

Finlanda, Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë qenë duke punuar në një projekt të tillë, por në mars, Komisioni Evropian, refuzoi kërkesën Estoni-Lituani për të financuar diçka të tillë.

Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar në shtator. Aeroplanët e NATO-s u ngritën në qiell më 10 shtator për të rrëzuar një numër dronësh rusë që hynë në hapësirën ajrore të Polonisë.

MARKETING