Estonia thërret KS për shkeljen ruse të hapësirës ajrore

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një “mbledhje krize” të hënën për të diskutuar shkeljen ruse të hapësirës ajrore të Estonisë, njofton Ministria e Jashtme e Estonisë.
Të premten, tre avionë luftarakë rusë të tipit Mig-31 fluturuan mbi Gjirin e Finlandës dhe shkelën hapësirën ajrore estoneze për dymbëdhjetë minuta. Rusia mohon shkeljen, njoftojnë mediet skandinave.
“NATO iu përgjigj menjëherë (shkeljes) dhe ndaloi avionët rusë,” shkroi të njëjtën ditë në X zëdhënësja e aleancës ushtarake, Allison Hart.
Si vend anëtar i NATO-s, Estonia dëshiron, gjithashtu, të thërrasë një takim të vendeve anëtare sipas nenit 4, i cili parashikon që anëtarët të konsultohen me urgjencë kur një vend anëtar ndihet i kërcënuar.