Estonia analizon reduktimin e varësisë nga gjigantët amerikanë të teknologjisë në sektorin publik

Estonia analizon reduktimin e varësisë nga gjigantët amerikanë të teknologjisë në sektorin publik

Estonia po analizon mundësinë e uljes së varësisë nga kompanitë amerikane të teknologjisë, si Microsoft, Google dhe Amazon, në sistemet e teknologjisë së informacionit (IT) të sektorit publik.

Transmetuesi publik ERR raportoi se ky rishikim vjen në një kohë kur Qendra Shtetërore e IT-së (RIT) po vazhdon transferimin e stacioneve të punës së qeverisë dhe agjencive shtetërore në një sistem të centralizuar të menaxhuar, të bazuar në ‘cloud’, i cili aktualisht ndërtohet kryesisht mbi Microsoft 365.

Drejtori i RIT-it, Ergo Tars, tha se nuk ka plane për të hequr dorë plotësisht nga ofruesit amerikanë, por do të testohen zgjidhje alternative në kuadër të një projekti pilot që do të nisë këtë vjeshtë.

Tars tha se vlerësimi lidhet me diskutime më të gjera evropiane mbi sovranitetin digjital dhe rreziqet e mundshme që lidhen me varësinë nga infrastruktura IT jo-evropiane, përfshirë sigurinë e të dhënave, kostot dhe ndërprerjet e shërbimeve.

“Nëse në BE do të merrej një vendim se produktet amerikane nuk janë më të besueshme, atëherë në çfarë situate do të ishim. Në atë rast nuk do të kishte shumë dallim nëse bëhet fjalë për Microsoft, Amazon apo Google. Atëherë do të duhej të shikonim vetëm produkte të bazuara në Evropë”, tha Tars.

Kjo lëvizje përputhet me iniciativa të ngjashme edhe në pjesë të tjera të Evropës. Franca ka njoftuar plane për të zëvendësuar Microsoft Teams, Zoom dhe mjete të tjera të huaja për videokonferenca me platformën e saj Visio në të gjitha departamentet qeveritare deri në vitin 2027, duke përmendur arsye sigurie, kursime kostosh dhe pavarësi digjitale.

RIT vlerëson se rreth 15 mijë nga afër 25 mijë stacionet e punës qeveritare të Estonisë mund të kalojnë në sistemin e saj të centralizuar të menaxhimit brenda dy vjetësh, megjithëse zyrtarët thonë se një shkëputje e plotë nga teknologjia amerikane mbetet e pamundur në afat të shkurtër.

MARKETING