Erjona Jonuzi, kapitene dhe MVP që në javën e parë në Sllovaki!

Volejbollistja tetovare Erjona Jonuzi është rikthyer në Sllovaki për sezonin e saj të dytë me skuadrën VK Nove Mesto nad Vahom, që garon në “Extra Liga”, elita e volejbollit për femra në vend.
Falë nivelit të saj të lartë dhe përvojës së pasur në rolin e pasueses, Erjona ka fituar menjëherë besimin e stafit dhe shoqeve të ekipit, duke u emëruar kapitene që në fillim të sezonit. Në javën e parë, ajo u shpall MVP (lojtarja më e mirë e ndeshjes) në fitoren e pastër 0-3 në transfertë ndaj Elba Preshov, me paraqitje mbresëlënëse në organizimin e lojës.
Vlen të përmendet se sezonin e kaluar Erjona pësoi një dëmtim të rëndë, këputje të ligamentit të kryqëzuar (ACL) në gjurin e majtë, që e detyroi të ndërpriste garat, me parashikime mjekësore për rikuperim prej 10 deri në 12 muajsh.
Megjithatë, me shumë përkushtim, punë të palodhur dhe besim në vetvete, ajo u rikthye në fushë pas vetëm gjashtë muajsh, fillimisht me përfaqësuesen e Maqedonisë, pasi kampionati sllovak kishte përfunduar.
Sot, Erjona është plotësisht e rikuperuar dhe po shkëlqen sërish në parketet sllovake, duke treguar se vullneti dhe dashuria për sportin mund të mposhtin çdo pengesë.