Erdoğan: Zgjidhjet afatgjata me Iranin janë të mundshme vetëm përmes diplomacisë dhe dialogut

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan deklaroi të mërkurën se vendi i tij përshëndet armëpushimin mes Iranit dhe Izraelit, duke shtuar se pret që të dyja palët “ta respektojnë plotësisht dhe pa kushte thirrjen e mikut tim (presidentit amerikan Donald) Trump”.
MARKETING
Pas samitit të NATO-s në Hagë, Recep Tayyip Erdoğan konfirmoi se Türkiye ka qenë e përfshirë në përpjekje intensive diplomatike që nga fillimi i armiqësive ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, për të cilat tha se “përbëjnë rreziqe serioze për rajonin”.
“Ashtu si për çdo vend në rajon, siguria e Izraelit varet nga stabiliteti, paqja dhe begatia e fqinjëve të tij”, tha Erdoğan , duke shtuar:
“Sulmet izraelite e kanë kthyer tragjedinë humanitare në Gazë në një katastrofë që askush me ndërgjegje nuk mund ta injorojë.”
Ai përsëriti bindjen e Ankarasë se “zgjidhjet afatgjata me Iranin janë të mundshme vetëm përmes diplomacisë dhe dialogut”, duke theksuar se “rajoni ynë është plot me shembuj që tregojnë se lufta dhe shkatërrimi nuk të çojnë askund”.
Erdoğan tha se Türkiye “shpreson që armëpushimi të shndërrohet në një paqe të qëndrueshme”, duke theksuar se “të gjithë duhet të marrin përgjegjësi për të arritur paqen në Lindjen e Mesme”.
Lidhur me integrimin e industrisë evropiane të mbrojtjes, presidenti turk deklaroi se ka theksuar që pjesëmarrja e partnerëve të NATO-s që nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian (BE) “do t’i shërbejë interesave të gjithë Evropës”.
Ankaraja është gjithashtu në bisedime me Londrën dhe Berlinin për programin e avionëve Eurofighter, shtoi ai, duke vënë në dukje një “zhvillim pozitiv të ngjarjeve”.
Ai gjithashtu përshëndeti përparimin e fundit për një çështje tjetër kyçe me ShBA-të: “Diskutuam çështjen e avionëve luftarakë F-35. Ne kemi kryer pagesa prej 1.3 deri në 1.4 miliardë dollarë për F-35 dhe pamë që zoti Trump ka qëllime të mira për dorëzimin e tyre.”
Sa i përket qëndrimit kolektiv të NATO-s, Erdoğan bëri të ditur se Türkiye po udhëheq përpjekjet për të siguruar që “dokumentet e NATO-s të bëjnë thirrje për heqjen e të gjitha pengesave në tregtinë e pajisjeve mbrojtëse mes aleatëve, pa përjashtime”.
“Ne gjithashtu u siguruam që deklarata të pasqyrojë qëndrimin tonë se lufta kundër terrorizmit mund të ketë sukses vetëm përmes solidaritetit të vërtetë midis aleatëve,” tha ai.
Ai konfirmoi gjithashtu presionin diplomatik të vazhdueshëm të Türliyes për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë: “Besoj se është hapur një dritare mundësie për një armëpushim dhe paqe të përhershme.”