Erdoğan: Turqia shpreson sa më parë të marrë fund dhuna dhe gjakderdhja në Francë

Erdoğan: Turqia shpreson sa më parë të marrë fund dhuna dhe gjakderdhja në Francë

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij shpreson që ngjarjet e fundit në vazhdën e të shtënave fatale të policisë javën e kaluar në Francë “do të marrin fund sa më parë”, duke shkurtuar ciklin e përshkallëzuar të dhunës, raporton Anadolu.

“Ne shpresojmë që ngjarjet e fundit, të cilat na shqetësojnë, do të marrin fund sa më parë para se të derdhet më shumë gjak dhe spiralja e dhunës të përkeqësohet”, tha presidenti Erdoğan në një takim të kabinetit në Ankara.

Erdoğan gjithashtu tha se Türkiye është e shqetësuar se këto ngjarje do të çojnë në një “valë të re presioni dhe frikësimi” ndaj emigrantëve dhe muslimanëve.

“Në vendet e njohura për të kaluarën e tyre koloniale, racizmi kulturor është kthyer në racizëm institucional”, tha Erdoğan.

Protestat kanë tronditur Francën që nga e marta e javës së kaluar, kur një oficer i policisë qëlloi një 17-vjeçar me origjinë algjeriane gjatë një kontrolli trafiku në periferi të Parisit, pasi ai injoroi urdhrat për të ndaluar.

Oficeri që qëlloi 17-vjeçarin përballet me një hetim zyrtar për vrasje me dashje dhe i është caktuar masa e paraburgimit.

Erdoğan tha se gjithashtu është domethënëse që ata që më parë u përpoqën t’i japin mësime Türkiyes mbi të drejtat, ligjin dhe demokracinë, “sot ranë në një heshtje të thellë”.

“Sigurisht, ne nuk e falim plaçkitjen e dyqaneve. Protestat e rrugës nuk mund të jenë një metodë legjitime për të kërkuar të drejtat. Megjithatë, është e qartë se edhe autoritetet duhet të mësojnë nga ky shpërthim social”, tha ai.

Djegia e Kur’anit në Suedi

Erdoğan gjithashtu dënoi ashpër djegien e Kur’anit javën e kaluar në Stokholm, duke theksuar se, “Sulmi frikacak ndaj librit tonë të shenjtë Kur’anit, në Stokholm, në kryeqytetin e Suedisë, na ka zemëruar të gjithëve”.

Ai shtoi se ky sulm shpërfill ndjenjat e muslimanëve dhe është i papajtueshëm me vlerat më themelore njerëzore.

“Këto janë krime të urrejtjes, të nxitura nga islamofobia. Ashtu si vënia e zjarrit në një kishë, sinagogë apo tempull të një besimi tjetër nuk është liri, ashtu nuk mund të ketë liri për djegien e Kur’anit”, tha Erdoğan, duke shtuar se sulmet ndaj vlerave të shenjta nuk mund të përshkruhen si liri mendimi.

Erdoğan gjithashtu kritikoi Perëndimin se nuk ka ndërmarrë asnjë hap në luftën kundër krimeve të tilla.

“Të gjithë duhet të pranojnë se miqësia e Türkiyes nuk mund të fitohet duke hapur hapësirën dhe duke ndarë sheshet e qyteteve për terroristët”, theksoi presidenti turk.

Javën e kaluar, një person i identifikuar si Salwan Momika dogji një kopje të Kur’anit nën mbrojtjen e policisë para Xhamisë Qendrore të Stokholmit.

Akti i tij provokues përkonte me Kurban Bajramin dhe shkaktoi dënime të përhapura nga e gjithë bota islame, duke përfshirë Türkiyen, Jordaninë, Palestinën, Arabinë Saudite, Marokun, Irakun, Iranin, Pakistanin, Senegalin dhe Mauritaninë.

Presidenti Erdoğan theksoi se sulmet terroriste raciste synojnë jo vetëm muslimanët, por edhe hebrenjtë, afrikanët, aziatikët dhe emigrantët.

Më herët, presidenti Erdoğan ka deklaruar se Suedia nuk mund të shpresojë të anëtarësohet në NATO, për të cilën aplikoi pas fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, për sa kohë që u jep strehë dhe dritë jeshile terroristëve dhe mbështetësve të terroristëve.

Për t’u bashkuar me NATO-n, Suedia ka nevojë për miratimin e të gjithë anëtarëve të saj aktual, përfshirë Türkiyen, e cila ka qenë në aleancë për më shumë se 70 vjet dhe krenohet me ushtrinë e saj të dytë më të madhe.

MARKETING