Erdoğan: Turqia pret që BE të ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar marrëdhëniet

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, të cilit i tha se Ankaraja zyrtare pret që Bashkimi Evropian (BE) të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e marrëdhënieve, raporton Anadolu.
Sipas një deklarate të publikuar në X nga Drejtoria e Komunikimeve pranë Presidencës së Türkiyes, Erdoğan e uroi Costa-n për emërimin e tij si president i Këshillit Evropian dhe tha se rigjallërimi i marrëdhënieve midis Ankarasë dhe Brukselit është në interes të përbashkët të të dyja palëve.
Erdoğan dhe Costa diskutuan gjithashtu çështje rajonale dhe globale, ku presidenti turk theksoi se do të ishte e dobishme dhe në interesin më të mirë të të gjitha palëve të planifikohen hapat drejt sigurisë evropiane me pjesëmarrjen e Türkiyes.
Presidenti turk theksoi se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme midis Rusisë dhe Ukrainës është e mundur, pasi Ankaraja ka punuar për të vendosur paqen që nga fillimi i luftës Moskë-Kiev.
Ai shprehu gjithashtu kënaqësinë e Türkiyes me vendimin e BE-së për të pezulluar disa sanksione kundër Sirisë, për të ndihmuar në rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.
Gjatë telefonatës, Costa gjithashtu i ka uruar ditëlindjen presidentit Erdoğan.
Më herët, BE-ja njoftoi pezullimin e sanksioneve ndaj sektorëve të energjisë, transportit dhe sektorit bankar të Sirisë, për të ndihmuar në rindërtimin e vendit pas rënies së regjimit të Bashar Asadit.