Erdogan: Turqia po e menaxhon me kujdes konfliktin në Lindjen e Mesme, pa rënë në kurthe
MARKETING
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Turqia po e menaxhon konfliktin aktual në Lindjen e Mesme me kujdes dhe maturi, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhëniet vëllazërore dhe fqinjësore, transmeton Anadolu.
MARKETING
“Ne nuk po biem në kurthet e vendosura për ne”, tha Erdogan në një fjalim pas mbledhjes së kabinetit në Ankara, duke theksuar se “Turqia është e vendosur t’i qëndrojë larg unazës së zjarrit”.
“25 ditët e fundit kanë treguar se teksa kjo është lufta e Izraelit, bota po paguan çmimin. Është lufta e Netanyahut për mbijetesë, por 8 miliardë njerëz e mbajnë koston”, tha presidenti turk.
“Rrjeti i masakrës i udhëhequr nga Netanyahu duhet të ndalet menjëherë për hir të paqes rajonale dhe njerëzimit”, shtoi ai, duke theksuar se çdo vend duhet të marrë një qëndrim të guximshëm dhe proaktiv.
“Qëndrimi i pa kompromis, maksimalist dhe radikal i Izraelit nuk duhet të lejohet të minojë zgjidhjet diplomatike”, tha ai më tej.
Zhvillimet rajonale
SHBA-ja dhe Izraeli kanë ndërmarrë një ofensivë ajrore ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke vrarë deri tani më shumë 1.340 persona, përfshirë edhe liderin suprem të atëhershëm Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë kapacitete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.
Dje, presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi një ndalim 5-ditor të të gjitha sulmeve ndaj centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjetike iraniane, duke përmendur atë që i quajti bisedime “shumë të mira dhe produktive” me Teheranin gjatë fundjavës.
Zyrtarët iranianë i hodhën poshtë pretendimet për bisedime, duke i quajtur “lajme të rreme”, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme pranoi se kishte marrë mesazhe nga “vende mike”, të cilat sipas saj tregonin kërkesa të SHBA-së për bisedime.

