Erdoğan: Turqia dëshiron që armëpushimi Pakistan-Indi të shndërrohet në paqe të përhershme

Erdoğan: Turqia dëshiron që armëpushimi Pakistan-Indi të shndërrohet në paqe të përhershme

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se dëshiron që armëpushimi midis Pakistanit dhe Indisë të shndërrohet në paqe të përhershme dhe se vendi i tij është i gatshëm të japë çdo kontribut të mundshëm në këtë drejtim, raporton Anadolu.

Duke folur në një samit trepalësh në Laçin të Azerbajxhanit me homologun e tij azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif, Erdoğan tha: “Zhvillimin e solidaritetit dhe kapacitetit të veprimit të përbashkët mes Turqisë, Azerbajxhanit dhe Pakistanit përballë vështirësive e shohim si domosdoshmëri, jo zgjedhje”.

“Zhvillimet që po ndodhin në rajonin tonë tregojnë se sa i rëndësishëm është solidariteti midis tre vendeve”, shtoi ai.

Erdoğan tha se Turqia do të kontribuojë bashkërisht në projekte të tilla si Rruga e Zhvillimit (Turqi-Azerbajxhan-Pakistan), Korridori i Mesëm dhe Korridori i Transportit Veri-Jug.

“Me çlirimin e tokave të Azerbajxhanit që ishin nën pushtim për 30 vjet, tani shpresojmë që rajoni të bëhet qendër stabiliteti, prosperiteti dhe zhvillimi”, tha ai.

Lidhur me Gazën, Erdoğan tha se “janë të vendosur” të vazhdojnë të mbrojmë të drejtat e njerëzve të pafajshëm që u masakruan dhe u zotua të qëndrojnë kundër përpjekjeve për të prishur qetësinë e rajonit.

Ai bëri thirrjen e Turqisë “drejt botës për të rritur presionin mbi Izraelin për të vendosur armëpushim të përhershëm në Gaza” dhe “për të siguruar shpërndarjen e ndihmës urgjente humanitare”.

Në samitin trepalësh në Laçin, presidenti azerbajxhanas Aliyev tha se vendi i tij, Pakistani dhe Turqia gjithmonë mbështesin sovranitetin, integritetin territorial dhe drejtësinë.

Ndërsa kryeministri Sharif tha: “Rroftë vëllazëria dhe miqësia Pakistan-Turqi-Azerbajxhan”.

Më parë, Erdoğan zhvilloi një takim kokë më kokë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në Azerbajxhan, i cili feston Ditën e Pavarësisë sot.

MARKETING