Erdoğan thirrje liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të veprojnë për të ndihmuar palestinezët

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan të martën u bëri thirrje “të gjithë udhëheqësve botërorë që të qëndrojnë fort me palestinezët e shtypur në emër të njerëzimit”, raporton Anadolu.
“Sot, së bashku me qytetarët tanë, jemi këtu në këtë podium për të folur në emër të popullit palestinez, zërat e të cilit po heshten”, tha Erdoğan.
Erdoğan falënderoi të gjitha vendet që e kanë njohur Palestinën deri më tani dhe u bëri thirrje atyre shteteve që ende nuk e kanë bërë këtë “të veprojnë pa vonesë”.
Erdoğan tha se për 23 muaj, Izraeli ka vrarë një fëmijë për çdo orë në Gaza, duke theksuar: “Këto nuk janë numra, por njerëz të pafajshëm”.
“Çdo ditë, 2,5 milionë banorë të Gazës që jetojnë brenda 365 kilometrave katrorë zhvendosen, detyrohen të shpërngulen në një zonë tjetër”, tha Erdoğan.
“Fëmijë të vegjël të pafajshëm, vetëm dy ose tre vjeç, pa duar, krahë apo këmbë, për fat të keq, janë bërë një imazh i zakonshëm i Gazës sot”, tha presidenti turk.
“Njerëzimi nuk ka parë një brutalitet të tillë në shekullin e kaluar” që të barazohet me gjenocidin e Izraelit në Gaza, nënvizoi ai.
“Nëse një gjemb i vogël shpon dorën e një fëmije, kjo dhemb në zemrat e prindërve, por në Gaza, fëmijët amputohen pa anestezion. Kjo është pika më e ulët e njerëzimit”, theksoi presidenti turk.
“Çfarë ndërgjegjeje mund të durojë, çfarë ndërgjegjeje mund të heshtë për këtë? A mund të ketë paqe në botë ku fëmijët vdesin nga uria, mungesa e ilaçeve?”, pyeti Erdogan.
– Pushtimi nën “pretekst”
Erdoğan tha se pushtimi i Izraelit nën pretekstin e ngjarjeve të 7 tetorit 2023 nuk është kundërterrorizëm, është “një politikë dëbimi, mërgimi, gjenocidi dhe masakre masive”.
“Izraeli nuk po e kufizon veten në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Duke kryer sulme ndaj Sirisë, Iranit, Jemenit dhe Libanit, ai po kërcënon gjithashtu paqen rajonale”, shtoi ai.
Në fakt “nuk ka luftë në Gaza”, tha ai, pasi ushtria izraelite po përdor armët më moderne dhe më vdekjeprurëse kundër civilëve të pafajshëm.
Udhëheqësi turk tha se Izraeli “e ka humbur plotësisht kontrollin” pas sulmit të tij ndaj Katarit në fillim të këtij muaji, duke vërtetuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu “nuk e ka ndërmend paqen apo të lirojë pengjet”.
E fiksuar pas asaj që e quan “toka e premtuar”, administrata izraelite po minon paqen rajonale dhe arritjet e përbashkëta të njerëzimit me politikën e saj ekspansioniste, tha Erdoğan.
Ai tha se sulmet izraelite kanë shkelur të drejtat themelore të njeriut, të grave dhe të fëmijëve, si dhe lirinë e shprehjes, protestës, barazinë dhe drejtësinë.
Autorët e gjenocidit duhet të mbahen përgjegjës sipas ligjit ndërkombëtar, gjë që “me siguri do të ndodhë”, tha Erdoğan.