Erdogan shënon 80-vjetorin e OKB-së, kërkon reformimin e Këshillit të Sigurimit

Erdogan shënon 80-vjetorin e OKB-së, kërkon reformimin e Këshillit të Sigurimit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shënuar Ditën e OKB-së dhe 80pvjetorin e themelimit të OKB-së, duke bërë thirrje për reforma për ta bërë organizatën më efektive dhe më të përgjegjshme ndaj sfidave globale, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, Erdogan uroi OKB-në për përvjetorin e saj, duke theksuar se organizata, që u krijua pas dy luftërave botërore për të promovuar paqen dhe bashkëpunimin, është përballur dhe ka kapërcyer sprova të mëdha gjatë tetë dekadave të fundit.

“Teksa bota përballet me luftëra, kriza humanitare, uri, varfëri, islamofobi, terrorizëm dhe ndryshime klimatike, përgjegjësitë historike të OKB-së vazhdojnë të rriten. Përmbushja e këtyre detyrave kërkon një angazhim më të fortë ndaj parimeve të saj themeluese”, tha Erdogan.

Ai tha se reformimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është “kritik” për të siguruar se ai pasqyron “pritjet e drejta të të gjithë njerëzimit”.

Presidenti turk kritikoi mënyrën se si këshilli e trajtoi luftën në Gaza, duke theksuar se organizata dështoi të veprojë derisa dhjetëra mijëra palestinezë u vranë dhe Gaza mbeti në rrënoja.

Duke përsëritur thirrjen e tij të kahershme për reformimin e OKB-së nën moton “Bota është më e madhe se pesë”, Erdogan shprehu mbështetje për Iniciativën OKB-80 të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, e cila synon të forcojë organizatën për të ardhmen.

Ai gjithashtu tha se Turqia synon ta bëjë Stambollin një qendër të OKB-së, duke përmendur qasjen e saj globale, fuqinë punëtore të kualifikuar dhe pozicionin që lidh kontinentet dhe qytetërimet.

“Turqia do të vazhdojë të punojë për paqe, stabilitet dhe siguri, së pari në rajonin tonë dhe pastaj në të gjithë botën”, tha Erdogan, duke shtuar se shpreson që OKB-ja të mund të bëhet përsëri “një burim shprese për njerëzimin”.

MARKETING