Erdoğan paralajmëron se “kthimi i gjenocidit” në Gaza do të ketë “pasoja të rënda”

Erdoğan paralajmëron se “kthimi i gjenocidit” në Gaza do të ketë “pasoja të rënda”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka paralajmëruar se çdo rikthim i një “mjedisi gjenocidi” në Gaza do të ketë “pasoja shumë të rënda”, teksa përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, raporton Anadolu.

Një marrëveshje armëpushimi u arrit midis Izraelit dhe Hamasit dje herët në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, bazuar në një plan 20-pikësh të paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Faza e parë e planit përfshin një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, tërheqjen e Izraelit në një vijë të dakorduar në Gaza dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza, së bashku me mbështetjen ndërkombëtare për rindërtim.

Duke folur në një ceremoni përurimi të objekteve dhe projekteve të reja në provincën Rize të Detit të Zi, Erdoğan tha se Turqia ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar në rivendosjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Gaza “sa më parë.

Duke iu referuar marrëveshjes së armëpushimit, Erdoğan theksoi se “ajo që ka më shumë rëndësi tani është të sigurohet që marrëveshja të zbatohet plotësisht”, duke shtuar se Ankaraja do të kontribuojë në mënyrë aktive në proces.

“Rajoni ynë dhe Gaza në veçanti ka duruar mjaftueshëm gjakderdhje, masakra dhe lot. Paqes duhet t’i jepet një shans dhe të gjitha aktet e sabotimit duhet të shmangen”, tha presidenti Erdoğan.

Erdoğan e përshkroi marrëveshjen si një “hap të madh” drejt paqes së qëndrueshme pavarësisht sfidave që na presin. “Dera për një paqe të përhershme në Gaza është hapur. Ne themi, jo më gjakderdhje”, tha ai.

Më herët, i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff njoftoi se periudha 72-orëshe që Hamasi të lirojë pengjet izraelite në Gaza ka filluar, pas marrëveshjes së armëpushimit.

CENTCOM konfirmoi se ushtria izraelite përfundoi tërheqjen e fazës së parë në vijën e verdhë. Sipas marrëveshjes, Hamasi kërkohet të lirojë 20 pengje dhe të kthejë 28 trupa ndërsa Izraeli do të lirojë 250 të burgosur palestinezë që vuajnë dënime të përjetshme dhe 1.700 të arrestuar që nga 7 tetori 2023.

MARKETING