Erdoğan: Izraeli nuk do të gjejë paqe pa themelimin e shtetit palestinez

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se siguria e Evropës pa Türkiyes është e paimagjinueshme, raporton Anadolu.
“Türkiye e konsideron procesin e saj të anëtarësimit në BE si prioritet strategjik pasi është pjesë e pandashme e Evropës”, tha presidenti Erdoğan gjatë një iftari të shtruar me ambasadorët e huaj që shërbejnë në Ankara.
“Po bëhet gjithjnë e më e pamundur që Evropa të vazhdojë si një aktor global pa zënë vendin e duhur Türkiye”, tha Erdoğan.
– Izraeli nuk do të gjejë paqe pa themelimin e shtetit palestinez
Më tej, presidenti turk paralajmëroi se Izraeli nuk do të gjejë “paqen që kërkon” pa krijimin e shteti të pavarur palestinez me “integritet territorial bazuar në kufijtë e vitit 1967”.
“Sikur të mos mjaftonin thirrjet e tyre për aneksimin e Bregut Perëndimor, ministrat e qeverisë izraelite po luajnë me zjarrin me provokimet që vënë në shënjestër xhaminë Al-Aksa”, theksoi Erdoğan.
Ai përsëriti se xhamia historike e Kudsit është një “vijë e kuqe” për Türkiyen.
– Muslimanët duhet të përfaqësohen në proceset globale të vendimmarrjes ashtu siç e meritojnë
Presidenti Erdoğan gjithashtu kërkoi që muslimanët të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes globale, një status që ai tha se e meritojnë plotësisht.
“Muslimanët, të cilët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së botës, duhet të përfaqësohen në proceset globale të vendimmarrjes ashtu siç e meritojnë”, tha Erdoğan në fjalën e tij para ambasadorëve të huaj.
Erdoğan gjithashtu theksoi domosdoshmërinë absolute për të pasur një vend islam me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një pikë që ai gjatë viteve e ka theksuar në kuadër të nismës së tij “bota është më e madhe se pesë”.
“Të kesh një vend islam me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk është më vetëm një nevojë, por një domosdoshmëri”, tha Erdoğan.