Erdoğan: Izraeli është kërcënimi më i madh ndaj së drejtës ndërkombëtare

Erdoğan: Izraeli është kërcënimi më i madh ndaj së drejtës ndërkombëtare

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke komentuar për sulmin me dron nga Izraeli ndaj një anijeje me ndihma humanitare drej Gazës ndërsa ndodhej në Maltë, tha se Izraeli është kërcënimi më i madh ndaj së drejtës ndërkombëtare dhe “e ka bërë zakon shkeljen e saj”, raporton Anadolu.

“E gjithë bota e di se këto anije po transportonin ndihma humanitare dhe vepronin në përputhje me rregullat ndërkombëtare të lundrimit”, theksoi Erdoğan në avion gjatë kthimit nga Republika Turke e Qipros Veriore.

“Pavarësisht kësaj, sulmi u realizua – kjo është banditizëm dhe pirateri e pastër”, shtoi ai

“Izraeli po përpiqet të mposhtë palestinezët duke ua bllokuar ushqimin dhe barnat, pasi nuk ia doli me bomba dhe armë të rënda”, shtoi lideri turk.

Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund “spirales globale të heshtjes” ndaj veprimeve të Izraelit.

“Duhet të kuptohet: bota është më e madhe se Izraeli. Ajo duhet të qëndrojë në lartësinë e këtij mesazhi dhe të shuajë këtë zjarr që po përpiqet ta përfshijë botën”, theksoi ai.

Lidhur me sulmet izraelite ndaj Sirisë dhe përpjekjet për destabilizimin e vendit, Erdoğan u shpreh: “Një klimë paqeje dhe stabiliteti është gjëja e fundit që dëshiron Izraeli”.

“Izraeli është i shqetësuar nga përfundimi i luftës civile në Siri, nga e drejta e popullit sirian për të vendosur për të ardhmen e vet, si dhe nga erërat e unitetit dhe integritetit”, tha Erdoğan.

Ai shtoi se Izraeli po përpiqet të provokojë grupe të caktuara në Siri për të ndezur një konflikt të ri.

“Izraeli, që nuk ngurron t’i vë zjarrin rajonit, është gjithashtu thellësisht i shqetësuar nga fuqia e Türkiyes në rajon dhe arritjet që ka realizuar”, theksoi ai.

“Të gjithë duhet të punojnë për ndërtimin e një Sirie të re, mbi bazat e unitetit dhe integritetit territorial”, shtoi Erdoğan, duke nënvizuar: “Türkiye nuk do të lejojë që Siria të futet në një konflikt të ri”.

MARKETING