Erdoğan: Epigrafi i Silvanit, trashëgimi e paraardhësve; nuk ia japim Izraelit

Duke i kujtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu fjalimin e tij në lidhje me Epigrafin e Silvanit, i cili mbahet nga Turqia, presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha se nuk do t’i japin Izraelit “asnjë guralec që i përket Kudsit”, raporton Anadolu.
“Ata kërkojnë Epigrafin e Silvanit. Ne nuk do t’ju japim asnjë guralec që i përket Kudsit”, tha Erdoğan duke folur në ngjarjen e madhe të aviacionit, hapësirës dhe teknologjisë në Turqi, TEKNOFEST,
“Ai (Netanyahu) po shpreh urrejtje ndaj nesh sepse nuk i dhamë Epigrafin e Silvanit, i cili është trashëgimi e paraardhësve”, theksoi ai.
Epigrafi i Silvanit është një nga mbishkrimet më të rëndësishme të lashta hebraike në Muzeun Arkeologjik të Stambollit.
I organizuar nën udhëheqjen e Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë dhe Fondacionit T3, TEKNOFEST, festivali më i madh i teknologjisë në botë, po mirëpret vizitorët në Aeroportin Atatürk të Stambollit nga 17 deri më 21 shtator.
Netanyahu ka pohuar së fundmi se ka kërkuar nga Turqia Epigrafin e Silvanit, i cili është gjetur në Kudsin Lindor gjatë periudhës osmane dhe është sjellë në Muzeun Arkeologjik të Stambollit, por nuk ka mundur ta marrë për shkak të Erdoğanit.
“Ua them këtë vrasësve, që kanë në duar gjakun e 65.000 banorëve të pafajshëm të Gazës. Kudsi është nderi, dinjiteti dhe krenaria e të gjithë njerëzimit, përfshirë myslimanët”, tha ai.
Ai shtoi se përballë çdo plani dinak, lufta e Turqisë do të vazhdojë derisa të krijohet një shtet i pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet brenda kufijve të vitit 1967.