Erdoğan: Armëpushimi në Gaza mund ta shpëtojë rajonin nga rrethi i zjarrit

Erdoğan: Armëpushimi në Gaza mund ta shpëtojë rajonin nga rrethi i zjarrit

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se nëse Türkiye dhe Gjermania së bashku arrijnë një armëpushim humanitar në luftën e Izraelit në Gaza, rajoni mund të shpëtohet nga rrethi i zjarrit, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin, Erdoğan tha se 13 mijë palestinezë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, ishin vrarë në luftë deri më tani dhe se pothuajse e gjithë Gaza ishte shkatërruar nga sulmet izraelite ndaj enklavës së rrethuar.

Erdoğan tha se fokusi në takim është në marrëdhëniet tregtare, politike dhe ushtarake, veçanërisht në zhvillimet lidhur me situatën midis Rusisë dhe Ukrainës dhe përfundimisht situatën aktuale midis Izraelit dhe Palestinës.

“Dhe këtu do të flas qartë. Sepse 7 tetori cilësohet si fillim historik. Për periudhën pas 7 tetorit nuk flitet fare. Deri më tani, për fat të keq, janë vrarë 13 mijë fëmijë, gra dhe pleq palestinezë. Përpos kësaj, pothuajse më shumë nuk ka një vend të quajtur Gaza, gjithçka është shkatërruar. A mund të krahasohen armët dhe fuqia e Hamasit me armët dhe fuqinë e Izraelit? A ka Izraeli aktualisht armë bërthamore? Ka, por nëse e pyet Izraelin për këtë, ata nuk do të thonë ‘ekziston’. Për shkak se janë shumë të mirë në gënjeshtra”, tha presidenti turk.

Ai kujtoi se në sulme janë dëmtuar ose shkatërruar vendet e kultit, përfshirë xhamitë dhe kishat, si dhe spitalet, duke shtuar se sulmet ndaj spitaleve dhe vrasja e fëmijëve nuk janë në Torah.

MARKETING