Emiri i Katarit arrin në Turqi për të takuar presidentin Erdogan pas tërmeteve shkatërruese
Pas dy tërmeteve të forta që goditën Türkiye-n jugore në fillim të kësaj jave, Emiri i Katarit sot mbërriti në Türkiye për një vizitë pune, transmeton Anadolu.
Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani u largua nga Doha sot në mëngjes për t’u takuar me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, sipas Agjencisë së Lajmeve të Katarit.
Sipas burimeve presidenciale që ndanë një foto të liderëve në Twitter, presidenti Erdoğan ka mirëpritur Al-Thanin në Pallatin Vahdettin në Istanbul
Emiri i Katarit, i cili është kreu i parë i shtetit që viziton Türkiye-n pas tërmeteve vdekjeprurëse, shoqërohet nga një delegacion zyrtar.
Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë, me epiqendër në Kahramanmaraş, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë provincat Hatay, Gaziantep, Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanliurfa.
Tërmetet u ndien në disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin.
Sipas shifrave të fundit, mbi 24.600 njerëz kanë humbur jetën në Türkiye dhe mbi 80.000 janë lënduar.
Ndërkaq, në Sirinë fqinje, numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 3.500, ndërsa më shumë se 5.200 janë lënduar.