Emiratet e Bashkuara Arabe heqin vizat për qytetarët e Kosovës
Shtetasit e Republikës së Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas një marrëveshjeje të arritur së fundi midis dy vendeve, transmeton Anadolu.
Siç ka bërë të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet rrjeteve sociale, për këtë çështje është nënshkruar marrëveshje dypalëshe.
Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit të saj për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Falënderoj presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhërinë e Tij Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit tim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja e arritur gjatë takimit tonë muajin e kaluar tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugë për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve tona dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.
Republika e Kosovës e ka nisur vitin 2024 me lajme pozitive sa i përket lirisë së lëvizjes për qytetarët e saj. Nga 1 janari 2024 qytetarëve të Kosovës iu hoq regjimi i vizave drejt vendeve të Zonës Schengen, ndërsa vetëm pak ditë më vonë regjimin e vizave për kosovarët e hoqi edhe Spanja.