Emir Huseini jep dorëheqje nga posti i Drejtorit të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”: Shihemi në Tetor!

Emir Huseini, Drejtori i deritanishëm i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga kjo detyrë, duke falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe strukturat partiake që e kanë mbështetur në këtë rrugëtim.
Në një deklaratë drejtuar qytetarëvë, Huseini theksoi: “Sot dorëzova dorëheqjen time nga posti i Drejtorit të Parkut Kombëtar Mali Sharr. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj Kryesisë së Partisë Aleanca për Shqiptarët, në krye me z. Arben Taravari, për besimin dhe përkrahjen e treguar gjatë gjithë kësaj kohe.”
Ai falënderoi gjithashtu Degën e Aleancës për Shqiptarët në Tetovë, si dhe stafin e parkut për përkushtimin dhe profesionalizmin që kanë treguar gjatë realizimit të projekteve të përbashkëta.
“Shpreh falemnderimet e mia edhe deri tek stafi i Parkut Kombëtar Mali Sharr për bashkëpunimin korrekt dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm.”
Huseini siguroi se angazhimi i tij publik nuk përfundon këtu, duke shtuar se mbetet i përkushtuar në misionin për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për të siguruar mirëqenie ekonomike dhe të drejta të barabarta për të gjithë.
“Ne vazhdojmë së bashku, të përkushtuar, që të përmirësojmë të ardhmen për fëmijët tanë. Së bashku, për ju dhe me ju.
Na priftë e mbara! Shihemi në Tetor!”, përfundon ai.