Elon Musk lançon Grokipedian me inteligjencë artificiale për të rivalizuar Wikipedian

Elon Musk lançon Grokipedian me inteligjencë artificiale për të rivalizuar Wikipedian

Manjati amerikan i biznesit Elon Musk lançoi të hënën Grokipedian, një enciklopedi online e drejtuar nga inteligjenca artificiale, që ai thotë se do të kundërshtojë Wikipedian, të cilën ai e quan “woke”, transmeton Anadolu.

Miliarderi i teknologjisë e njoftoi platformën këtë muaj në kompaninë e tij amerikane të mediave sociale X, duke pretenduar se një qendër njohurish e krijuar nga inteligjenca artificiale do të ishte “shumë e rëndësishme për qytetërimin” dhe thelbësore për “të kuptuarit e universit”.

Musk tha se filloi ta zhvillonte faqen muajin e kaluar pas një rekomandimi nga aleati i tij David Sacks, një investitor teknologjik dhe “car” i inteligjencës artificiale dhe kriptovalutave të administratës së Trumpit i cili kishte nxitur alternativë konservatore ndaj enciklopedisë jofitimprurëse.

Ndryshe nga sistemi editorial i udhëhequr nga vullnetarët e Wikipedias, hyrjet e Grokipedias shqyrtohen nga chatbot-i xAI i Muskut, Grok, me vizitorët që janë të kufizuar në sugjerimin e korrigjimeve.

Pavarësisht premtimit të Muskut se Grok do të ndalojë së mbështeturi në faqet e Wikipedias “deri në fund të vitit”, shumë artikuj aktualisht përfshijnë një deklaratë mohimi përgjegjësie ku thuhet se përmbajtja është “e përshtatur nga Wikipedia, e licencuar sipas licencës “Creative Commons Attribution-ShareAlike 4.0”.

– “Madje edhe Grokipedia ka nevojë për Wikipedian që të ekzistojë”

Krahasimet e hershme tregojnë lëshime të dukshme.

Për shembull, faqja e Grokipedias mbi presidentin Donald Trump lë jashtë polemikat e theksuara në Wikipedia, ndërsa vetë artikulli i Muskut nuk përmend një gjest me dorë në një tubim në janar që “shumë historianë dhe politikanë e konsideruan si një përshëndetje naziste”.

Fondacioni Wikimedias tha se po e shqyrton platformën e re. “Njohuritë e Wikipedias janë dhe gjithmonë do të jenë njerëzore”, tha të hënën Fondacioni duke shtuar se “kompanitë e inteligjencës artificiale mbështeten në” modelin e saj të hapur dhe bashkëpunues. “Edhe Grokipedia ka nevojë për Wikipedian që të ekzistojë”, thuhet në njoftim.

Me 885 mijë artikuj në versionin e saj 0.1, Grokipedia hyn në një peizazh ku Wikipedia, që strehon 7.1 milionë artikuj në anglisht dhe renditet ndër faqet më të vizituara në botë, ka mishëruar prej kohësh një vizion falas dhe jofitimprurës të internetit.

MARKETING