Ekspertë të OKB-së: Sulmi izraelit në kampin e refugjatëve në Gaza, “krim lufte”
Ekspertë të OKB-së thanë se sulmi ajror izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia në Gaza është “shkelje e pacipë e ligjit ndërkombëtar” dhe “krim lufte”, transmeton Anadolu.
“Sulmi ajror izraelit në një kompleks banimi në kampin e refugjatëve Jabalia është shkelje e pacipë e ligjit ndërkombëtar – dhe krim lufte”, thanë ekspertët në një deklaratë.
“Sulmimi i një kampi që strehon civilë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, është shkelje e plotë e rregullave të proporcionalitetit dhe dallimit midis luftëtarëve dhe civilëve”, shtuan ata.
Një seri sulmesh ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në Rripin e Gazës të martën çuan në qindra viktima dhe të plagosur, sipas Ministrisë së Brendshme në enklavën e rrethuar.
Duke kërkuar veprim të menjëhershëm, ekspertët thanë: “Koha po ikën për të parandaluar gjenocidin dhe katastrofën humanitare në Gaza”.
“Ne mbetemi të bindur se populli palestinez është në rrezik të madh të gjenocidit”, thanë ata.
Duke vënë në dukje se situata në Gaza ka arritur një “pikë kthese katastrofike”, ekspertët paralajmëruan për nevojën e madhe për ushqim, ujë, ilaçe, karburant dhe furnizime thelbësore dhe rrezikun e problemeve shëndetësore.
Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga operacioni ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Rreth 10.600 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë 9.061 palestinezë dhe 1.538 izraelitë.
Përveç numrit të madh të viktimave dhe shpërnguljeve, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët në Gaza për shkak të rrethimit izraelit.