Egjipti: Po vazhdojnë diskutimet me SHBA-në për të mbajtur konferencën e rindërtimit të Gazës

Egjipti: Po vazhdojnë diskutimet me SHBA-në për të mbajtur konferencën e rindërtimit të Gazës

Ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelatty, tha të martën se Kajro po zhvillon konsultime me SHBA-në për një konferencë ndërkombëtare për rindërtimin e Rripit të Gazës pas luftës dyvjeçare të Izraelit në enklavë, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në Berlin me homologun e tij gjerman, Johann Wadephul, Abdelatty tha se diskutimet janë duke vazhduar me Washingtonin për të caktuar një datë për konferencën, e cila do të bashkëkryesohet nga Egjipti dhe SHBA-ja.

Kryediplomati egjiptian bëri thirrje për akses në sasi më të mëdha ndihme humanitare në Gaza për të përmbushur nevojat e popullsisë së territorit.

“Ne po punojmë për të konsoliduar marrëveshjen e armëpushimit dhe për të filluar zbatimin e fazës së dytë të planit të presidentit Trump, dhe për të kaluar në fazën e rimëkëmbjes dhe rindërtimit të hershëm”, tha ai.

Një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi në Gaza më 10 tetor, duke i dhënë fund dy viteve sulmesh izraelite që kanë vrarë më shumë se 70.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe kanë plagosur mbi 171.000 të tjerë që nga tetori i vitit 2023.

Abdelatty tha se Egjipti dhe Gjermania mirëpritën miratimin e Rezolutës 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Gazën, e cila përcaktonte krijimin e një Bordi Paqeje, një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF) dhe një komiteti administrativ në enklavë.

“Situata në Bregun Perëndimor nuk është më pak e tmerrshme se ajo në Rripin e Gazës, veçanërisht në dritën e fushatave terroriste të kryera nga kolonët kundër civilëve të pafajshëm në rajon”, tha ministri egjiptian.

Diplomati i lartë theksoi nevojën për krijimin e një shteti palestinez bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, në përputhje me rezolutat legjitime ndërkombëtare.

Lidhur me krizën humanitare në Sudan, ai theksoi se Egjipti ka “një vizion të qartë” brenda kornizës së një plani të paraqitur nga mekanizmi ndërkombëtar i Katërshes, “i cili përshkruan një plan për një armëpushim dhe nisjen e një procesi gjithëpërfshirës politik që është tërësisht në pronësi të sudanezëve”.

Në shtator, Katërshja, e përbërë nga SHBA-ja, Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, propozoi një plan që kërkon një armëpushim humanitar tremujor në Sudan, duke hapur rrugën për një fund të përhershëm të luftës dhe një proces tranzicioni gjithëpërfshirës nëntëmujor që çon në një qeveri civile të pavarur.

MARKETING