EBA refuzon veprimet izraelite në Gaza e Bregun Perëndimor, thirrje për zgjidhje me dy shtete

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) refuzuan veprimet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, duke bërë thirrje për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete për të arritur një paqe të qëndrueshme në rajon.
“Asgjë nuk mund ta justifikojë shënjestrimin e dhjetëra mijëra civilëve, rrethimin e tyre, urinë dhe zhvendosjen me forcë. Asgjë nuk mund ta arsyetojë ndjekjen e ambicieve të papranueshme ekspansioniste, përfshirë kërcënimin për aneksimin e Bregut Perëndimor,” tha Ministrja e Shtetit Lana Nusseibeh në një fjalim në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, të dielën herët.
Ministrja emirate theksoi se zbatimi i zgjidhjes me dy shtete për konfliktin palestinezo-izraelit dhe krijimi i një shteti palestinez të pavarur dhe sovran me Jerusalemin Lindor si kryeqytet janë një “kërkesë themelore për arritjen e një zgjidhjeje të përhershme, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të çështjes.”
Nusseibeh përshëndeti valën e fundit të njohjes së shtetësisë palestineze, duke u bërë thirrje vendeve të tjera të marrin hapa të ngjashëm për një të ardhme më të mirë në rajon.
“Kërkesat tona të para dhe më urgjente janë një armëpushim i menjëhershëm dhe i përhershëm në Gaza, heqja e rrethimit, lirimi i pengjeve (izraelite) dhe i të ndaluarve (palestinezë), si dhe dërgimi urgjent e i pakufizuar i ndihmës humanitare në shkallë të gjerë,” tha ajo.
Në lidhje me mosmarrëveshjen me Iranin për tre ishujt në Gjirin Persik, ministrja i bëri thirrje Teheranit ta “përfundojë pushtimin e këtyre ishujve, të cilët janë pjesë integrale e territorit të EBA-së, si dhe të përgjigjet ndaj thirrjeve tona të përsëritura për ta zgjidhur këtë çështje përmes negociatave të drejtpërdrejta ose duke iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.”
Irani ushtroi kontroll mbi ishujt Abu Musa, Tunb i Madh dhe Tunb i Vogël në nëntor 1971, të cilët ishin nën pushtimin britanik që prej vitit 1903. Vetëm pak ditë më vonë, Britania ia dorëzoi kontrollin e ishujve Emirateve të Bashkuara Arabe, një shtet i sapoformuar.
EBA e konsideron Iranin, i cili dislokoi forca ushtarake në ishuj, si një “pushtues,” ndërsa Irani pretendon se territoret ishin përkohësisht nën kontrollin britanik më 1903 dhe iu rikthyen atij më 1971.
EBA po ndjek në mënyrë aktive nisma me vendet arabe dhe organizata ndërkombëtare për të rimarrë tre ishujt.