E para në BE: Sllovenia shpall “non grata” ministrat izraelitë Ben-Gvir dhe Smotrich

E para në BE: Sllovenia shpall “non grata” ministrat izraelitë Ben-Gvir dhe Smotrich

Sllovenia u bë shteti i parë anëtar i BE-së që zyrtarisht shpall dy ministra izraelitë si persona non grata, duke përmendur si arsye rolin e tyre në atë që e quajti “situatë e padurueshme” në Gaza, njoftoi sot ministrja e Jashtme Tanja Fajon, transmeton Anadolu.

“Pas seancës së sotme qeveritare, kemi miratuar vendimin për të shpallur ministrin izraelit të Sigurisë Kombëtare (Itamar Ben-Gvir) dhe ministrin e Financave (Bezalel Smotrich) si persona non grata në Republikën e Sllovenisë”, tha Fajon, sipas një postimi të ndarë nga Ministria e Jashtme sllovene në X.

“Ky është presion mbi qeverinë izraelite për të përmirësuar situatën e padurueshme në Gaza dhe për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve”, tha ajo.

Ky hap i Sllovenisë vjen pas njohjes së Shtetit të Palestinës në qershor.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka kryer një ofensivë brutale në Gaza që nga fundi i tetorit 2023, duke vrarë gati 58.600 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi dhe përhapje të sëmundjeve.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.

MARKETING