Dy të vdekur nga sulme izraelite në Libanin jugor pavarësisht armëpushimit
Dy persona kanë humbur jetën në sulme të ushtrisë izraelite në rajonet jugore të Libanit, duke vazhduar shkeljet e armëpushimit, transmeton Anadolu.
Ushtria izraelite po vazhdon të shkelë marrëveshjen e armëpushimit të arritur me Libanin në nëntor 2024.
Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve NNA, ushtria izraelite bombardoi një shtëpi në fshatin Hirbet Silm, në rrethin Bint Cubeyl të provincën Nebatiye, duke vrarë dy persona.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, mori përsipër sulmin përmes një deklarate në rrjetet sociale, duke pretenduar se ushtria ka shënjestruar “pjesëtarë të Hezbollahut” në Hirbet Silm.
Nga ana tjetër, NNA-ja raportoi se një dron i ushtrisë izraelite hodhi bombë zanore mbi civilët që po kontrollonin shtëpitë e tyre të shkatërruara nga sulmet në fshatin Ayta esh-Shaab, në provincën Nebatiye.
Në një tjetër incident, ushtria izraelite goditi edhe oborrin e një shtëpie në fshatin Kafr Dunin, në qytetin Sur, duke shkaktuar dëme materiale.
– Sulmet izraelite dhe prania ushtarake vazhdojnë pavarësisht armëpushimit
Izraeli nisi sulmet ndaj Libanit në tetor 2023, ndërsa në shtator 2024 u shndërruan në luftë të gjerë. Në konflikt humbën jetën mbi 4 mijë persona dhe rreth 17 mijë të tjerë u plagosën.
Edhe pse më 27 nëntor 2024 u arrit marrëveshje armëpushimi mes Libanit dhe Izraelit, ushtria izraelite e ka shkelur atë mijëra herë.
Izraeli vazhdon të mbajë nën kontroll pesë pika që i ka pushtuar pas 8 tetorit 2023, ndërkohë që ruan praninë e tij edhe në disa zona të tjera të okupuara prej vitesh.
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka bërë të ditur se, si pasojë e sulmeve të Izraelit ndaj Libanit gjatë periudhës 27 nëntor 2024 – 20 nëntor 2025, janë vrarë 331 persona dhe janë plagosur 945 të tjerë.

