Dy raketa ruse godasin Kharkivin
Moska lëshoi dy raketa në drejtim të qytetit ukrainas të Kharkivit të dielën, një prej të cilave goditi një ndërtesë banimi.
Të shtunën, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se situata po bëhet edhe më e ashpër në Ukrainën lindore, për shkak të një vale të re bombardimesh ruse, në rajonet Chernihiv, Zaporizhia, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Luhansk, Donetsk dhe Mykolaiv.
Në fjalimin e tij të përnatshëm, udhëheqësi ukrainas tha se Rusia “po i hedh gjithnjë e më shumë në sulm forcat e saj, me synimin për të shkatërruar mbrojtjen ukrainase”.
Kievi tha se ia doli të zmbrapsë një sulm të ri rus në qytetin lindor të rrethuar të Bakhmutit të shtunën. Zoti Zelenskyy tha se trupat ukrainase nuk do ta dorëzojnë këtë qytet dhe se do të luftojnë për aq kohë sa të munden.
Gjatë një bisede telefonike të shtunën, zoti Zelenskyy diskutoi me kryeministrin britanik Rishi Sunak rreth situatës më të fundit në terren. Ata ranë dakord për përshpejtimin e mbështetjes shtesë ushtarake nga Perëndimi e cila do të shërbejë për zmbrapsjen e forcave ruse. Zelenskyy-Sunak diskutuan gjithashtu edhe rreth forcimit të kapaciteteve afatgjata ushtarake të Ukrainës.
Presidenti ukrainas falënderoi zotin Sunak dhe Britaninë për ndihmën.
“Tashmë, në Mbretërinë e Bashkuar, djemtë tanë kanë filluar stërvitjen në tanket Challenger”, tha zoti Zelenskyy, i cili i konsideroi këto tanke si mjaft të rëndësishme për fushën e betejës.
Në fillim të kësaj jave Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se vendi i tij do të merrte 120 deri në 140 tanke perëndimore pjesë e “valës së parë” të dërgesave nga një koalicion prej 12 vendesh.
Perëndimi ka garantuar të furnizojë Kievin me automjete të blinduara të rëndësishme për fushë-betejën në një kohë kur Moska ka rritur përpjekjet për të përparuar në Ukrainën lindore.
Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten se do të ofrojnë një ndihmë ushtarake shtesë prej 2.175 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila përfshin raketa konvencionale dhe me rreze të gjatë veprimi. Sipas një zyrtari amerikan, raketat me rreze më të gjatë dhe me saktësi të madhe goditëse, do të dyfishojnë rrezen e sulmit ukrainas, për herë të parë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë. /VOA/