Dy muaj pas sulmit fatal gjatë një tubimi zgjedhor, ndërron jetë senatori kolumbian Miguel Uribe

Senatori dhe kandidati presidencial kolumbian, Miguel Uribe, ka ndërruar jetë nga plagët e marra dy muaj pasi u sulmua gjatë një tubimi zgjedhor në kryeqytetin Bogota.
Gruaja e Uribes, Maria Claudia Tarathona, konfirmoi vdekjen e tij në mediat sociale, duke i bërë homazh “dashurisë së jetës së saj” dhe duke e falënderuar atë për një “jetë plot dashuri” dhe për faktin që ishte “babai më i mirë” për fëmijët e tyre.
Një djalë 15-vjeçar është arrestuar si i dyshuar në sulm, por motivi mbetet i paqartë. Policia lokale po vazhdon hetimet për të përcaktuar nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë në sulm.
Rasti ka sjellë në mendje kujtime të viteve të trazuara 1980 dhe 1990, kur dhjetëra politikanë kolumbianë dhe figura të shquara u vunë në shënjestër të sulmeve.
Uribe, i cili u zgjodh senator në vitin 2022 dhe kandidonte për nominimin presidencial të partisë së tij në vitin 2026, ishte i njohur për vendosmërinë dhe pasionin e tij për politikën. Pavarësisht suksesit të tij, dhuna që e rrethoi që nga fillimi i karrierës së tij nuk ishte e panjohur për të.
Gruaja e tij, në mes të tragjedisë, u kishte kërkuar njerëzve të luteshin për shërimin e tij, ndërsa turma njerëzish morën pjesë në lutje dhe protesta në shenjë solidariteti. Pavarësisht operacioneve të shumta që i kishte bërë që nga dita e sulmit, shëndeti i tij nuk u përmirësua kurrë derisa ndërroi jetë.