Durmishi: Po punojmë për nisma të reja që do të përmirësojnë dhe rrisin punësimin

Durmishi: Po punojmë për nisma të reja që do të përmirësojnë dhe rrisin punësimin

“Sot po përfundojmë me sukses një projekt, fokusi kryesor i të cilit ishte zgjidhja e një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballemi si shoqëri – papunësia afatgjatë dhe varësia nga ndihma minimale e garantuar”, tha Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, në fjalën e tij në aktivitetin përmbyllës të IPA projektit trevjeçar “Aktivizimi i grupeve të rrezikuara në tregun e punës”, të organizuar nga Agjencia e Punësimit.

Ministri theksoi se në fillim të këtij projekti kanë vendosur qëllim ambicioz që t’u japin grupeve të rrezikuara mundësinë për pavarësi ekonomike, duke i përfshirë në programe të specializuara për zhvillimin e shkathtësive dhe shërbimeve.

“Përmes Programit për këshillimin dhe motivimin e personave të papunë nga kategoritë e rrezikuara, ne u ndihmuam që të tejkalojnë frikën e tyre nga risia dhe e panjohura dhe të bëjnë një hap drejt përfshirjes aktive në tregun e punës. Këshillimi dhe mbështetja mentoruese nuk ishin vetëm vegla teknike, por mbështetje e mirëfilltë, që këta persona e ndjenin si nxitje për ndryshim”.

“Komponenti i dytë, Programi i mbështetjes së punësimit përmes trajnimeve, është çelësi drejt së ardhmes së shumë njerëzve. Në të janë përfshirë pesë masa që, ndikuan drejtpërdrejt në përmirësimin e shkathtësive dhe punësimit të qytetarëve tanë. Trajnimet e përfunduara për profesionet e kërkuara në tregun e punës, do të thonë se sot kemi më shumë njerëz të gatshëm të përfshihen në fuqinë punëtore dhe t’u përgjigjen nevojave të tregut. Këto trajnime nuk ishin vetëm mënyrë për të përvetësuar shkathtësi – ato do t’ua hapin dyert personave të papunë për mundësi të reja dhe zhvillim profesional”, theksoi ministri Durmishi.

Sipas tij, projekti ka treguar se me strategji, bashkëpunim dhe angazhim të drejtë mund të arrihet shumë.

“Rezultatet e projektit nuk janë vetëm statistika, por njerëz që kanë marrë mbështetje, mundësi të reja dhe qasje më të lehtë në vende të punës. Besoj se mësimet e nxjerra nga ky projekt do të shërbejnë si bazë për nismat e ardhshme që do të përmirësojnë punësimin, do të rrisin punësimin dhe do të mundësojnë gjithëpërfshirjen sociale në tregun e punës”, tha ministri Durmishi.

MARKETING