Droni Bayraktar kap momentin e zjarrvënies së qëllimshme në Shqipëri

Droni turk “Bayraktar” TB2, pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ka kapur momentin e zjarrvënies së qëllimshme në Shqipëri.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama në Instagram duke e ndarë pamjen e momentit të zjarrvënies.
“Të ndezësh një zjarr me qëllim, nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”, ka shkruar ai.
Duke theksuar se Policia e Shtetit është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët, Rama tha: “Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal”.
Rama në postim ka shkruar se pamjet në fjalë ku dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme janë të dronit Bayraktar.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit në mbarë vendin janë evidentuar 50 vatra zjarri, prej të cilave 19 janë ende aktive në disa qarqe.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarre, pritet nivel rreziku “i lartë” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “shumë i lartë” vetёm nё zona tё lokalizuara, përfshirë qarqet Shkodër, Lezhë dhe Elbasan.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 41 gradë Celsius, njoftoi instituti duke bërë thirrje për qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe të njoftojnë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve vendore.