Drejtuesi i KFOR: Situata në veri të Kosovës mbetet e paqëndrueshme
Gjeneral majori italian, Angelo Michele Ristuccia, komandanti i trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, deklaroi se gjendja në veri të vendit është shumë e paqëndrueshme, ndonëse situata e sigurisë është qetësuar në krahasim me muajin maj, kur pati dhe përplasje të dhunshme.
Gjatë një fjalimi në Bruksel, komandanti i KFOR shtoi se tensionet mes dy palëve mbeten të larta për shkak të dallimeve politike.
“Gjendja është e qetë pas zhvillimeve të 29 majit. Por situata vazhdon të jetë shumë e paqëndrueshme. Ne mendojmë se ky tension është për shkak të një sërë çështjesh të pazgjidhura”, deklaroi ai.
Për gjeneralin, Ristuccia, ajo që është më shqetësuese dhe që kontribuon herë pas herë në shpërthimin e tensioneve në veri është se palët nuk kanë besim te njëra-tjetra.
Mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në veri të Kosovës në muajin maj. Rreth 50 protestues po ashtu u lënduan gjatë trazirave.
Përleshjet shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë hynë në zyrat e tyre në komunat në veri të Kosovës pas mbajtjes së zgjedhjeve komunale, që u bojkotuan nga serbët.