Dokumente konfidenciale të ushtrisë britanike gjenden të shpërndara në rrugët e Anglisë

Dokumente konfidenciale të ushtrisë britanike gjenden të shpërndara në rrugët e Anglisë

Grumbuj letrash që përmbanin informacione konfidenciale ushtarake u gjetën të shpërndara në rrugët e Newcastle, një qytet në Anglinë veriore, në fillim të këtij muaji.

Tifozi i futbollit Mike Gibbard ishte duke parkuar veturën e tij më 16 mars teksa po shkonte për në një ndeshje kur copëzat e letrës i ranë në sy.

Gibbard doli nga vetura e tij dhe u habit kur zbuloi se letrat, në fakt, ishin dokumente ushtarake.

“Isha shumë i befasuar, mendova me vete, kjo nuk duhet të jetë këtu”, tha Gibbard.

Për tronditjen e tij, dokumentet dukej se përmbanin informacion në lidhje me regjimentet dhe kazermat e Ushtrisë Britanike në Catterick Garrison – të cilat ndodhen afërsisht 80 kilometra në jug të Newcastle në veri të Yorkshire.

Ata renditën detaje në lidhje me perimetrin e objekteve, rutinat e patrullimit, kontrollet e armëve, numrat e telefonit celular dhe kërkesat për leje, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

“Ka pasur edhe emra ushtarësh, por edhe të ushtarëve të rangut të lartë në shërbim”, shtoi Gibbard.

Bëhet e ditur se ai nxitoi të telefonojë policinë, i shqetësuar se kush tjetër mund t’i kishte gjetur letrat para tij.

Në anën tjetër të linjës, policia ishte në mosbesim të plotë për atë që po dëgjonin.

“Kam kaluar pesë minuta duke sqaruar se ajo që po shihja ishte e vërtetë”, tha Gibbard.

Sipas ekspertëve, informacioni i klasifikuar i zbuluar mund të përfaqësojë një kërcënim serioz sigurie për individët e përmendur.

Gibbard tha se Ministria e Mbrojtjes nuk e kishte kontaktuar atë.

“Ata nuk më kanë pyetur asgjë për atë që pashë. Më duket sikur duan ta fshijnë atë nën qilim”, shtoi ai.

Ndryshe, Ministria e Mbrojtjes tha se ata ishin në dijeni se dokumentacioni “që supozohet se kishte të bënte me departamentin i ishte dorëzuar së fundmi policisë”.

Ministria shtoi se po shqyrtonte çështjen urgjentisht dhe se një hetim në vazhdim i udhëhequr nga Policia e Northumbria ishte duke u zhvilluar. /Telegrafi/

 

MARKETING