Dodik riaktualizon idenë që Republika Srpska t’i bashkohet Serbisë
Presidenti i entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Srpska, Milorad Dodik, deklaroi se ky entitet ka të drejtë të bashkohet me Serbinë me të njëjtën analogji me të cilën presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, pretendon të drejtën e SHBA-së për Grenlandën, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për RT Balkan, degën ballkanike me seli në Beograd të kanalit televiziv rus Russia Today, Dodik vlerësoi presidentin rus Vladimir Putin dhe promovoi përsëri idenë e tij për shkëputjen e Republikës Srpska nga Bosnjë e Hercegovina dhe bashkimin me Serbinë.
Ai tha se kufijtë ekzistues nuk janë diçka e shenjtë dhe iu referua proceseve të njohjes së pavarësisë së shteteve që dolën pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
“Nëse amerikanët thonë se nuk ka pasur ndarje midis sllovenëve dhe kroatëve, por një fakt real në terren, a nuk ishte Republika Srpska një fakt real në terren? Pse na kthyet neve në atë marrëzi të quajtur Bosnjë e Hercegovinë? Nëse Grenlanda dhe Kanadaja mund ta bëjnë këtë, nëse këtë mund ta bëjnë Gjermania Lindore dhe Perëndimore, si mund të mos bashkohet tani Republika Srpska me Serbinë”, tha Dodik, duke shtuar se Rusia gjithashtu ka të drejtë mbi Ukrainën.
Nëse Putini nuk do të kishte sulmuar Ukrainën, beson Dodik, Rusia do të ishte ndarë në disa shtete më të vogla që do të ishin marrë nën kontroll nga kompanitë shumëkombëshe.
“Ata nuk përllogaritën se kishte një Putin që kishte mbështetjen e popullit dhe vendosmërinë e mjaftueshme,” tha Dodik.
Trump, i cili po përgatitet të marrë zyrtarisht detyrën në Shtëpinë e Bardhë, tha muajin e kaluar se Grenlanda duhet të jetë nën kontrollin e SHBA-së. Ai pohoi se zotërimi dhe kontrolli i ishullit ishte një “prioritet absolut”. Deklaratat e Trump-it kanë ngjallur dënim nga autoritetet e Grenlandës, si dhe nga opinioni i gjerë.