Dodik i kërkon gjykatës në Bosnje t’ia zëvendësojë me gjobë dënimin me burgim

Dodik i kërkon gjykatës në Bosnje t’ia zëvendësojë me gjobë dënimin me burgim

Millorad Dodik, presidenti i entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, i ka kërkuar formalisht Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës të mërkurën t’ia zëvendësojë me gjobë dënimin prej një viti burgim.

Dodik u dënua në shkurt me një vit burgim dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës për gjashtë vjet. Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin ndaj tij këtë muaj.

Dënimi me një vit burgim mund të zëvendësohet me gjobë sipas sistemit ligjor të Bosnjës.

Sipas Kodit Penal të Bosnjës, një ditë burg kushton 50 euro. Dodik do të paguajë rreth 18.000 euro për një vit.

Megjithëse Dodik ka deklaruar vazhdimisht se nuk e pranon vendimin e gjykatës, kërkesa e tij për ta shndërruar dënimin në gjobë tregon se, në fakt, ai e ka pranuar atë.

Dodik u dënua për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë.

Pasi dënimi i tij u vërtetua, të mërkurën Komisioni Qendror Zgjedhor ia hoqi atij mandatin e presidentit të entitetit serb, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme për president të Republikës Sërpska.

Dodiku, i cili ka mbështetjen e Moskës, iu përgjigj Komisionit Qendror duke thënë se do të mbajë referendum në Republikën Sërpska për mandatin e tij, edhe pse Kushtetuta e Bosnjës nuk parashikon mundësinë e mbajtjes së referendumeve në entitete, njofton REL.

Ndërkohë, më 7 gusht në orën 21:00, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë konsultime të mbyllura lidhur me situatën në Bosnje dhe Hercegovinë. Nga Misioni i Panamasë, e cila aktualisht kryeson Këshillin, është thënë për agjencinë ruse RIA Novosti se Rusia ka kërkuar mbajtjen e këtij takimi.

Në të njëjtën kohë, Ambasada e Rusisë ka deklaruar se për Bosnje dhe Hercegovinën “ka ardhur momenti i së vërtetës”, pas të cilit “mund të vijë pika pa kthim”.

Në deklaratën e publikuar më 7 gusht thuhet se “ose Bosnja dhe Hercegovina do të dëshmojë se është vërtet një shtet juridik dhe demokratik, duke e hedhur poshtë aktgjykimin e politizuar ndaj presidentit Dodik – i cili u imponua nën presionin perëndimor – ose do të rreshtohet krah Moldavisë, Rumanisë, Francës, Gjermanisë, Austrisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në thelb gjithë Perëndimit kolektiv, ku në mënyrë hipokrite dhe arrogante përdoren agjencitë ligjzbatuese për të shkatërruar kundërshtarët politikë”.

MARKETING